SPAK “godet” pasuritë e lidhura me grupin “Çopja”, sekuestron 77 milionë lekë prona

Nga Igli Çelmeta
22 Tetor 2026, 14:50 | Kronikë

SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë totale 77 milionë lekë, në kuadër të një hetimi për trafik narkotikësh dhe pastrim parash. të lidhura me grupin kriminal të Çopjave në Elbasan.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë m² në Sharrë, Tiranë, si dhe 100% të kuotave të një shoqërie tregtare me seli te rruga e Dibrës në Tiranë. Në pronësi të kësaj kompanie janë gjithashtu 25 automjete, konkretisht 24 makina të markës Volkswagen, si dhe një automjet Toyota, shkruan A2.

Sekuestrimi i pasurive është kryer në kuadër të procedimit penal që përfshin veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.

Franc Çopja ndodhet në burg në Belgjikë për llogari të autoriteteve të huaja. Në këtë shtet ai u ekstradua nga Dubai ndërsa i vëllai i tij, Hajdar Çopja, vijon të ndodhet në Dubai. SPAK i akuzon ata për 4 atentate dhe trafik ndërkombëtar droge.

Një sërë sekuestrimesh janë kryer edhe më herët, për pasuri në emrin e tyre, mes tyre, një pikë agroturizmi, 1 milion euro cash dhe 10 milion dollarë në kriptovaluta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos