
NASA mund të ketë zbuluar një nga provat më premtuese për ekzistencën e mundshme të jetës jashtëtokësore, por shkencëtarët mund të mos kenë mundësi ta konfirmojnë këtë zbulim për shumë vite. Bëhet fjalë për një mostër shkëmbore të quajtur “Sapphire Canyon”, të mbledhur nga roboti Perseverance në Mars, që mund të përmbajë gjurmë të aktivitetit të lashtë mikrobik, shkruan A2 CNN.
Guri, me përmasa të përafërta sa një shkumës, u mor në korrik të vitit 2024 nga një shkëmb i quajtur Cheyava Falls, në një zonë ku dikur rridhte ujë dhe ekzistonte një liqen, më shumë se 3 miliardë vjet më parë. Shkëmbi ka njolla karakteristike që në Tokë mund të formohen nga aktiviteti i mikroorganizmave në sedimente.

Shkencëtarët e konsiderojnë këtë zbulim një kandidat të rëndësishëm për atë që njihet si “shenjë jete”, një tregues i mundshëm i ekzistencës së jetës. Megjithatë, ata theksojnë se vetëm analizat laboratorike në Tokë mund të përcaktojnë nëse këto struktura janë krijuar nga organizmat e gjallë apo nga procese kimike dhe gjeologjike.
Problemi është se programi i përbashkët i NASA-s dhe Agjencisë Europiane të Hapësirës për kthimin e mostrave nga Marsi është anuluar, pasi kostot u rritën ndjeshëm. Projekti fillimisht parashikonte kthimin e mostrave në vitin 2031, por më vonë afati u shty deri në vitin 2040, ndërsa buxheti i parashikuar arriti deri në 11 miliardë dollarë.
NASA shpenzoi rreth 2,5 miliardë dollarë për programin deri në anulimin e tij. Agjencia ka deklaruar se po shqyrton alternativa më të thjeshta dhe më të përballueshme, përfshirë bashkëpunimin me kompani private dhe partnerë ndërkombëtarë, por ende nuk ka përcaktuar një plan konkret.

Kina synon të dërgojë misionin Tianwen-3, i cili pritet të niset në vitin 2028 dhe të sjellë mostra nga Marsi në vitin 2031. Misioni parashikon përdorimin e një moduli uljeje, një vinçi dhe një sondë orbitale për transportimin e materialeve drejt Tokës.
Për shkencëtarët, kthimi i mostrave marsiane do të ishte një hap vendimtar për të kuptuar nëse jeta është shfaqur edhe jashtë Tokës. Edhe nëse nuk gjenden gjurmë organizmash, analizat mund të ndihmojnë në shpjegimin e kushteve kimike që mundësojnë lindjen e jetës dhe të hedhin dritë mbi pyetjen nëse Toka është unike në univers. (A2 Televizion)