Moska ka propozuar ndërtimin e një tuneli gjigant 70 milje të gjatë nën Ngushticën e Beringut, që do të lidhte Rusinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një projekt që do të ndërtohej nga kompania e Elon Musk, The Boring Company.
Ky tunel, që është quajtur “Tuneli Putin-Trump”, synon të shërbejë si një simbol i unitetit mes dy superfuqive dhe të hapë mundësi për bashkëpunim në eksplorimin e burimeve natyrore, tha një i dërguar i Kremlinit, përcjell A2 CNN. Projekti është vlerësuar të kushtojë rreth 8 miliardë dollarë falë teknologjisë inovative të kompanisë së Musk.
Kirill Dmitriev, i dërguar për investime i presidentit Vladimir Putin dhe drejtues i Fondit Sovran të Investimeve të Rusisë (RDIF), deklaroi se Moska, së bashku me “partnerë ndërkombëtarë”, përfshirë edhe Musk, mund ta realizojnë tunelin dhe linjën hekurudhore për më pak se tetë vjet.
Dmitriev, që është në krye të një fushate diplomatike për të rigjallëruar marrëdhëniet SHBA–Rusi, hodhi idenë pas një bisede telefonike mes Putinit dhe Donald Trump, të cilët ranë dakord të takohen në Budapest për të kërkuar mënyra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ëndrra për një lidhje SHBA–Rusi përmes Ngushticës së Beringut është një vizion i hershëm — që nga hekurudha Siberi–Alaskë e vitit 1904 e deri te plani rus i vitit 2007,” shkroi Dmitriev në platformën X.
Ngushtica e Beringut, që ndan rajonin rus të Çukotkës nga Alaska, është e gjerë rreth 51 milje në pikën më të ngushtë. Prej më shumë se 150 vitesh janë paraqitur plane për ta lidhur këtë zonë, por asnjëri nuk është realizuar.

Dmitriev shtoi se fondi RDIF ka studiuar projekte të mëparshme që parashikojnë një lidhje hekurudhore mes SHBA-së, Kanadasë, Rusisë dhe Kinës, dhe se do të mbështesë “projektin më të realizueshëm”. Ai ka krijuar gjithashtu lidhje me Steve Witkoff, i dërguari special i Trumpit, dhe ka përmendur mundësinë që kompanitë amerikane të energjisë të marrin pjesë me aksione të vogla në projekte ruse në Arktik. “Imagjinoni të lidhim SHBA-në dhe Rusinë, Amerikën dhe Afro-Euroazinë, me Tunelin Putin-Trump, një rrugë 70 milje që simbolizon unitetin”, shkroi Dmitriev në një mesazh drejtuar Musk-ut në X.
Ai kujtoi se gjatë Luftës së Ftohtë ishte hedhur një ide e ngjashme, për të ndërtuar një “Urë Paqeje Kennedy-Khrushchev”, dhe publikoi një skicë që tregonte itinerarin e mundshëm mes Çukotkës dhe Alaskës.
“RDIF ka investuar dhe ka ndërtuar tashmë urën e parë hekurudhore Rusi–Kinë. Tani ka ardhur koha të bëjmë më shumë, të lidhim kontinentet për herë të parë në historinë e njerëzimit. Ka ardhur koha të lidhim Rusinë me SHBA-në”, përfundoi Dmitriev.
Elon Musk nuk ka komentuar ende mbi propozimin e Kremlinit. (A2 Televizion)