Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, vazhdon të mbetet një nga zërat më me ndikim në botën e teknologjisë, edhe pse ka reduktuar aktivitetin e tij profesional. Në një intervistë për emisionin “The Tonight Show” të Jimmy Fallon në NBC, ai ndau vizionin e tij për ndikimin që inteligjenca artificiale do të ketë gjatë dekadës së ardhshme.
Sipas Gates, “brenda dhjetë vitesh, shumica e detyrave që sot kryhen nga njerëzit do të realizohen nga inteligjenca artificiale”. Ai nuk e sheh këtë zhvillim si kërcënim, por si një mundësi për përmirësim të ndjeshëm të efikasitetit dhe rezultateve në fusha të ndryshme, shkruan A2 CNN.
Gates theksoi potencialin e madh të IA-së në teknologji, arsim dhe mjekësi, ku pritet të sjellë këshillime më të sakta mjekësore, mësimdhënie inteligjente dhe përparime në kërkimet shkencore. Po ashtu, ai përmendi ndikimin që mund të ketë në prodhim, transport dhe bujqësi, duke i cilësuar këto ndryshime si “të thella dhe që po ndodhin shumë shpejt”.
Filantropi amerikan foli edhe për rolin e tij në kërkimet mbi malarien dhe sëmundjen e Alzheimerit, duke përmendur se në vitin 2022 kishte shkruar se AI është mjeti më i fuqishëm për të ulur pabarazitë në botë.
Për Gates, inteligjenca artificiale përfaqëson një revolucion pozitiv që mund të çojë në trajtime të reja për sëmundje vdekjeprurëse, zgjidhje për krizën klimatike dhe arsim cilësor për të gjithë, duke transformuar rrënjësisht jetën njerëzore në dekadën që vjen. (A2 Televizion)