
Argjentina ka humbur (momentalisht) yllin e saj Messi, por me gjasa ka gjetur përfundimisht sulmin e shumë kërkuar.
Mauro Icardi dhe Paulo Dybala kanë qenë protagonistët absolutë të fitores 2-0 kundër Meksikës në miqësore.
I vetmi Lionel në Argjentinë ishte trajneri Scaloni, nga momenti që ylli Messi ka marrë një “pauzë” reflektimi.
Kapiteni i Interit shënoi në minutën e dytë të ndeshjes me një aksion personal të shkëlqyer, pas një pasimi të Erik Lamela, duke festuar në këtë mënyrë golin e tij të parë në tetë ndeshje me fanellën e Albiceleste.

Djemtë e trajnerit Lionel Scaloni administruan lojën dhe goditën sërish në fund të ndeshjes, me një kundërsulm të sulmuesit të Fiorentinës Giovanni Simeone, i finalizuar nga juventini Dybala që sapo kishte zëvendësuar Icardin. Edhe për Dybalën ky ishte gëzimi i parë me Kombëtaren e tij.
Fitorja e djeshme përfaqëson fitoren e katërt në gjashtë ndeshje të Argjentinës nën komandën e trajnerit Scaloni, që gjithmonë e më shumë po meriton vendin që dukej fillimisht si i përkohshëm.
“Jam i lumtur që lojtarë të rëndësishëm si Icardi dhe Dybala u zhbllokuan”, pohoi Scaloni pas ndeshjes, “jam i bindur që do ti dhurojnë tifozëve shumë gëzime”. (A2 Televizion)