
Një zjarr ka përfshirë një banesë në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, pasditen e kësaj të shtune, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vënë në rrezik banorët e pallatit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:30, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një cigare e lënë ndezur nga pronari i banesës, shtetasi me inicialet A. L.
Flakët janë shuar nga shërbimet zjarrfikëse, ndërsa policia dhe zjarrfikësit kanë evakuuar banorët e pallatit për të parandaluar pasoja të mëtejshme.
Për shkak të tymit të dendur, disa banorë kanë shfaqur shenja asfiksimi dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Sipas policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi A. L. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të zjarrit.
(A2 Televizion)