
Një arratisje spektakolare e një të dënuari për vrasje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme nga burgu i Idrizovës në Maqedoninë e Veriut.
Duket se i burgosuri që mundi të arratiset nga vendi i dënimit, e kishte organizuar me përpikëri të gjithë skenën, pasi pati dhe bashkëpunëtorë jashtë hekurave që e ndihmuan.
B.M. i dënuar me 22 vjet burg për vrasje dhe armëmbajtje po dërgohej për në spital, për shkak të një plage që kishte marrë në dorë.
Pak metra larg burgut, furgoni u bllokua nga një mjet Audi që i zuri rrugën. Në atë moment, B.M. i rrëmbeu armën e shërbimit një prej policëve, duke e qëlluar atë në këmbë. Ai më pas u largua me shpejtësi me makinën që e priste.
Aksioni i arratisjes ishte planifikuar. Këtë e tregon edhe fakti se personat e armatosur e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, ndoshta kishin të dhëna dhe se sa ishte numri i policëve në furgon.
Ministria e Brendshme ka nisur një hetim për këtë ngjarje të rëndë, pasi ekziston dhe dyshimi se i dënuari ka pasur bashkëpunim me persona brenda administratës së burgut. (A2 Televizion)