Arrestimi i ish-ministrit Koka, dyshimi i SPAK mbi 3.6 mln euro ryshfet për inceneratorin e Elbasanit

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2021, 15:49 | Kronikë

Hetimi i SPAK për iceneratorin e Elbasanit çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe shpalli në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Ish-zyrtari i lartë Koka, ministër i LSI në qeverinë “Rama 1” u prangos në banesën e tij në Durrës dhe u dërgua në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë disa orë më vonë.

Ndërsa fletë-arrestet e prera në gjyqtari Erion Bani për dy biznesmenët, përfitues dhe zbatues të kontratës koncesionare nuk u ekzekutuan, për shkak të mosgjetjes së tyre. Ish-ministri akuzohet të ketë “shpërdoruar detyrën” gjatë procedurës së kontratës koncesionare, nga mungesa e dokumentacionit, deri në zbatimin e një procedure që nuk parashikohej në ligj.

Sipas SPAK, veprimet e kryera nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, si titullar i autoritetit kontraktor, kanë dëmtuar interesat e shtetit, si edhe i kanë sjellë përfitim të parregullt për shoqërinë “Albtek Energy”, që fitoi koncesionin.

Sa i përket veprës penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”, që rëndon mbi të tre të akuzuarit, SPAK ngre dyshime për një ryshfet gati 3,8 milionë euro të përfituar nga ish-ministri Koka. Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë përfitime të parregullta monetare nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy”sh.p.k. që përfitoi koncesionit dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që zbatoi punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve.

Paratë dyshohet se janë marrë në mënyrë të tërthortë, përmes krijimit të një skeme fiktive përkryerjen e punimeve në shoqërinë koncensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluar prej personave familjarë të tij, si edhe nga subjekte tregtare në zotërimin e tij. Sipas SPAK, përmes kësaj skeme ish-ministri ka përfituar shumat 2,9 milionë dhe 735 mijë euro nga dy shoqëritë, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek energy” për të marrë koncesionin. Këto shuma parash, janë justifikuar me fatura tatimore për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Po sipas SPAK, dy biznesmenët kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të maskuar origjinën dhe arsyen e transferimit të tyre. Bashkë me caktimin e masës së sigurisë, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi dy shoqëritë tregtare dhe pasuritë e dy biznesmenëve, si edhe pjesë takuese të aksioneve të ish-ministrit në një kantinë vere.

https://a2news.com/video/arrestimi-i-lefter-kokes-tenderat-e-inceneratoreve-dhe-roli-i-ish-ministrit/
https://a2news.com/2021/12/14/pas-arrestimit-te-ish-ministrit-reagon-ambasadorja-yuri-kim/
https://a2news.com/2021/12/14/arrestimi-i-lefter-kokes-basha-nuk-eshte-peshku-i-madh-parate-e-kujt-po-pastronte-ministri-i-rames/
https://a2news.com/2021/12/14/qellimisht-i-vonuar-petrit-vasili-akuzon-spak-ramen-dhe-bashen-pas-arrestimit-te-lefter-kokes/

Njoftimi i SPAK: Çfarë u zbulua nga hetimet?

Lidhur me këtë procedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore të natyrës komplekse dhe voluminoze, veprime hetimore të karakterit historik, por njëkohësisht edhe veprime hetimore proaktive, si rezultat i të cilave janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e disa veprave penale. Më konkretisht:

Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.

Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) procedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) proçedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me shtetasin L.K, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).  

Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë  dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit S.G. dhe K.Z. kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Po kështu, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi L.K. ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Në këtë procedim penal, krahas marrjes në përgjegjësi penale të shtetasve L.K., K.Z. dhe S.G., si dhe të disa persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, janë marrë në përgjegjësi penale edhe personat juridikë, shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.100, datë 12.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimi ndaj personit nën hetim L.K. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Caktimi ndaj personit nën hetim K.Z. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Caktimi ndaj personit nën hetim S.G. i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale të 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.

Po kështu, me vendimin nr.484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Albtek Energy” sh.p.k., me seli qendrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Caktimi i masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit L.K., të “88, 19 %” të aksioneve në pronësi të tij në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me Nipt J61811527M, me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot në datën 14.12.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasit L.K., si dhe janë duke u kryer veprimet e nevojshme për vënien në administrim të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara Tiranë, të tre personave juridikë për të cilët është vendosur masa e sigurimit pasurore “sekuestro preventive”.

Vijojnë hetimet e mëtejshme për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimtarisë kriminale të mësipërme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos