
Gjykata e Posaçme e Apelit u detyrua të shtyjë për të premten seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Selim Çekajt për lirim nga qelia. Babai 72-vjeçar i Arbër Çekajt, të 613 kilogramëve kokainë, mbahet në paraburgim si i dyshuar për trafikimin e 49 kg të të njëjtit lloj droge nga Ekuadori.
Seanca e së mërkurës dështoi pasi avokatët braktisën sallën ku nuk ishte prezent as 72-vjeçari. Para këtij reagimi, ata kërkuan përjashtimin e gjyqtarit të çështjes, Dhimitër Lara, me argumentin se i njëjti gjyqtar ka gjykuar dhe dhënë vendim për Arbër Çekajn, por Lara vendosi të vijojë seancën.
Selim Çekaj u arrestua në 1 prill pas gjetjes së 49 kg kokainë të fshehur në një kontenier me banane të porositur prej kompanisë së tij në Ekuador. Hetimi i nisur nga Prokuroria e Durrësit u përcoll në SPAK, por hetimi nuk zbuloi lidhje mes tij dhe drogës. Ndonëse në fillim të gushtit Prokurorët e SPAK kërkuan zbutje të masës së sigurisë, Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën “arrest në burg”. (A2 Televizion)