
Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit, ka dhënë një lajm të mirë sa i takon çështjes së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Ballës, “ka një dakordësi mes 27 vendeve anëtare të BE-së për të mbajtur javën e ardhshme konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE, që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë, me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt”, tha Balla.
Pak më herët, kryeministri Edi Rama, u bëri thirrje “vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në Maqedoninë e Veriut” që të pranojnë propozimin francez, që “hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian”.
“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari,i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas&shqiptarë në MV u them: Pranojeni”, shkruan Rama në Twitter. (A2 Televizion)