
Në protestën e 7 korrikut, të thërritur nga Partia Demokratike, do të marrin pjesë edhe disa deputetë të kësaj force politike që janë kundër Sali Berishës.
Një ditë më parë, kryesia e PD-së u caktoi detyrë të gjithë deputetëve që të organizojnë protestuesit në zonat e tyre elektorale. Alibeaj, Bardhi dhe Ferdinand Xhaferraj kanë deklaruar që nuk do të jenë pjesë e protestës, duke theksuar se kjo protestë nuk bëhet për shqiptarët. Gazetarja Arestina Skënderi foli me disa deputetë të opozitës për të kuptuar qëndrimin e tyre për protestën e javës së ardhshme.
“Unë protestoj sot, kam protestuar dje, do të protestoj nesër. Protestoj kundër non grata-ve. Besoj se mënyrë më e mirë është të protestosh këtu, pa frikë. Detyra e çdo deputeti është të protestoj. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Nuk është ai shpresa e njerëzve”, tha Alibeaj.
Ish-nënkryetari Agron Gjekmarkaj dhe deputetë të tjerë të cilët nuk janë rreshtuar krah Berishës gjatë krizës. "Nëse do të jem në Shqipëri, po", tha Gjekmarkaj.
“Emri im është vendosur në atë grup pune pa më konsultuar dhe pa më pyetur”, tha Arbi Agalliu. “Si shumë e shumë kolegë të tjerë. Kjo nuk do të thotë që unë personalisht, apo rrjeti im dhe gjithë demokratët e ndershëm nuk do të mbështesim çdo nismë që ka të bëjë me refuzimin e varfërisë”.
“Jemi mësuar me diversione, nuk më duket çudi”, tha Flutura Açka, deputete e Elbasanit. “Unë vetë nuk jam, por çdo qytetar është i lirë që të marrë pjesë”.
“Në fakt në këtë rast nuk është nevoja për lajmërim. Uroj që të gjithë shqiptarët të protestojnë”, tha Flamur Hoxha. “Strukturat e PD-së janë gjithmonë të bashkuara”. Pjesëmarrjen në protestë e konfirmuan edhe Dhurata Çupi, Xhelal Mziu dhe Greta Bardeli. (A2 Televizion)