
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se zgjedhjet e 6 marsit ishin një anomali që ka ardhur si pasojë e humbjes së besimit të shqiptarëve te vota.
Basha u shpreh se mospjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje, tregon se ata nuk kanë asnjë garanci, duke shtuar nevojën për një reformë të thellë zgjedhore.
“Dua që procesi të përfundojë dhe iu bëj thirrje numëruesve të vijojnë deri në fund. E kam bërë të qartë që 6 marsi ishte një anomali. Anomalia e parë ishin zgjedhjet moniste të 30 qershorit. Anomalia e dytë ishte që 4 kryebashkiakë dolën me rekorde kriminale. Në këto kushte, dhe kur nuk ka asnjë reflektim për 25 prillin, mendoj se shqiptarët e kanë kuptuar nevojën për një reformë të thellë zgjedhore. Kemi detyruar krijimin e komisionit për reformën zgjedhore që t’i jap qytetarëve një sistem që i përfaqëson. Sot kemi një sistem që është vënë në shërbim të një grushti qytetarët, që i pasuron ata dhe varfëron qytetarët. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se 6 marsi është një anormalitet. Asgjë nuk ka ndryshuar me krimin zgjedhor të 25 prillit. Me një mospjesëmarrje tregon se qytetarët e braktisën procesin sepse nuk kishte asnjë garanci. PD-së iu mohuan komisionerët. Aleanca e non gratave kërcënoi komisionerët në Vorë. Ne kemi bërë 3 denoncime në SPAK për mospërmbushje të detyrave. Shqipëria ka arritur në një pikë të papranueshme sa i përket zgjedhjeve, këtë e tregoi dhe elektorati me mospjesëmarrje. Na takon ne të bëjmë një reflektim për reformim të brendshëm që ka nisur, nevojës për t’u ndarë nga e shkuara. Nuk është koha për t’i ikur përgjegjësive, por janë asgjësuar zgjedhjet. PD është në një sulm të shumëfishtë për nevoja personale. Përgjigjja jonë është një reformë më e thellë”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)