
Kreu demokrat, Lulzim Basha, i është përgjigjur kryeministrit në lidhje me kandidaturat për zgjedhjet e 25 prillit, që për Ramën lista e PD-së është zhgënjyese. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Basha tha se kandidatët e PD-së janë me integritet moral dhe të përkushtuar për t’iu shërbyer qytetarëve, përkundër kandidatëve socialistë.
"Nisim së bashku marshimin e ditës së ndryshimit, bashkë për ndryshimin, bashkë për fitoren, ky ka qenë motivi dhe kjo është e vërteta. Në çdo qark problemet e vendit janë shumë të mëdha dhe një nga të këqijat më të mëdha i bashkon integriteti moral dhe kurajo për të shërbyer. Është si shërbim që ne e shohim politikën dhe jo si mundësi për të grabitur dhe mbi të, të ndërtojmë një sistem që e ka kthyer Shqipërinë në çifligun e 5 vetëve. Më 25 prill, ndryshimi që po vjen nuk ka thjesht formën e fytyrën e kandidatëve për deputetë, por të qindra shqiptarëve që kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre në shtëpinë e tyre. Të frenojnë papunësinë dhe largimin e të rinjve. Këto janë kriteret që mishërojnë kandidatë tanë të listës fituese të 25 prillit."
Me emra konkretë, Basha shigjetoi socialistët e përfshirë në afera korruptive dhe kriminale dhe për krimin zgjedhor.
“Ahmetaj, Gjiknuri, Xhaçka dhe vetë kryeproblemi. Pa largimin e Ramës nuk ka ndryshim, se siç ka ndërtuar gjithçka në jetën e tij dhe lista është një fasadë. Nuk ka të ardhme me Ramën e shërbëtorët e tij që kanë grabitur qindarkat e fundit të çdo shqiptari. Kudo duket dora e krimit dhe bandave. Mjafton të shohim qarkun Durrës, kandidatin e Avdulajve, kandidatin e bandave të Shijakut e Durrësit, Ndrazhen dhe Rrahman Rrajan, emër i njohur ndërkombëtarisht, shumë të tjerë janë fshehur pas fytyrave anonime. 8 vjet në pushtet kjo ka qenë ofertë e Ramës këta e kanë qeverisur. Pas 8 vjetësh e vetmja gjë që ofron është një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë hajdutët e shqiptarëve dhe bandat e krimit të organizuar me shpresën se do i hedhin hi syve”.
Basha shprehu bindjen se më 25 prill do të fitojnë shqiptarët që kanë qenë peng i 8 viteve të pasurimit të Ramës dhe të gjithë socialistët zemërthyer. Sipas tij, lista e PD-së është fytyra njerëzore e politikës.
“Prej ditës së sotme, ndryshimi duket qartë, integriteti moral i kandidatëve përkushtimi për t’u shërbyer qytetarëve dhe mbështetjes së kauzave të mëdha, njerëz të artit e kulturës, shkrimtarë, shkencëtarë, akademikë, studentë, sipërmarrës, na bashkon një gjë jemi energjia dhe shpresa e kthyer në realitet e çdo shqiptari që pas 25 prillit ndryshimi do jetë i prekshëm për të gjithë. Për të gjithë shqiptarët që janë peng për 8 vite i pasurimit të 5 klientëve të Ramës, ndryshimi do vijë dhe për socialistët zemërthyer që shohin se nuk ka reflektim, por edhe pengmarrje totale, mos jini zemërthyer se ndryshmi po vjen edhe për ju. Më 25 prill, do të fitojë çdo shqiptar. Ata që nuk e duan ndryshimin do fitojnë në kurrizin tuaj, ata duan status quo ndaj janë fshehur poshtë çarçafit të arnuar, nuk e mbulojnë dot dështimin e Ramës. Nuk shkul dot keqmenaxhimin e pandemisë, abuzimin me paratë e tyre. Fytyra njerëzore e politikës është lista jonë”. (A2 Televizion)