
27 qytetarë shqiptarë janë zhbllokuar nga aeroporti i Shkupit në 24 orët e fundit, ndërsa autobusit me 22 shqiptarë që vinin nga Belgjika e që u bllokua në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë, do t’i mundësohet rikthimi në atdhe të enjten, datë 19 mars, në mëngjes.
Kjo, pas ndërhyrjes së Ambasadës Shqiptare në Serbi. Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) është ngritur Task Forca enkas për t’i ardhur në ndihmë çdo shqiptari i cili ndodhet përtej kufijve dhe ka mbetur atje për shkak të pandemisë së krijuar nga Covid-19. Apeli i Ministrisë së Jashtme është konsultimi me numrat e emergjencës në faqet zyrtare, por edhe në rrjetet sociale.
“Kushdo dëshiron dhe duhet të kthehet në Shqipëri, përpara se të marrë vendimin të presë biletën, të kontaktojë në përfaqësitë për udhëzim se cili është itenerari që duhet të ndiqet, a ka fluturime të mundshme, a u lejohet tranziti nga vendi i zgjedhur, a është e mundur mbërritja. Ju bëjmë me dije se Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në botë janë në gjendje gatishmërie 24 orë për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve shqiptarë”, lexohet në njoftimin e MEPJ.
Mes këtyre shqiptarëve, ka edhe shumë që kanë mbetur në vendet Shengen dhe që rrezikojnë shkeljen e lejeqëndrimit 90-ditor. Në kushtet e pandemisë globale, udhëzohen që të gjithë t’i drejtohen përfaqësive diplomatike në vendet ku ndodhen që të pajisen me një dokument që të vërtetojë “ngrirjen” e afatit të tejkaluar, duke mos rrezikuar ekspuls nga vendi pritës.
Por, problem nuk është vetëm Evropa. Edhe përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara, ka me dhjetëra shqiptarë që me pasaportën duan të kthehen për të mos shkelur afatet e qëndrimit të vizës. Por, në kushtet e pandemisë botërore, ambasada jonë në Nju Jork ka njoftuar se si do të zgjatet koha e ligjshme e qëndrimit në SHBA.
Administrata amerikane e Shërbimeve të Emigracionit ka publikuar informacionin e nevojshëm me këtë rast, në linkun https://www.uscis.gov/visit-united-states/extend-your-stay. Ambasada udhëzon të gjithë qytetarët shqiptarë që të ndjekin dhe zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e publikuara nga ky institucion, për të shmangur çdo pasojë që mund të shkaktojë qëndrimi në SHBA përtej afateve të caktuara ligjore. (A2 Televizion)