
“Unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. Po, jam përballur me masakra zgjedhore, por s’kam humbur asnjë garë në jetën time”. Lulzim Basha vijoi të refuzojë përgjegjësitë, ndonëse Partia Demokratike në zgjedhjet e 6 marsit u tkurr në forcë e tretë politike. Pasi përkufizoi 25 prillin si masakër elektorale, ka një përcaktim të ri edhe për garën e fundit vendore.
“Procesi i 6 Marsit ishte një anomali i një anomalie. Anomalia e parë që ndodhi, ishin zgjedhjet, votimet moniste të 30 qershorit 2019-të. Anomalia e dytë ishte që 4 nga kryebashkiakët monistë dolën me rekorde kriminale, njëri ndërroi jetë dhe tjetri vendosi të kandidonte. Në këto kushte dhe në kushtet kur s’ka asnjë reflektim për anomalitë e tjera të 25 prillit që çuan në deformimin e vullnetit të zgjedhësve”. U shpreh ai.
Renditjen e kandidatëve të tij në vend të tretë në 5 prej 6 bashkive ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore, Basha e justifikon me pjesëmarrjen e ulët në votime, por përsëri nuk merr përgjegjësi përse nuk i bindi qytetarët që të dilnin të votonin për njerëzit e tij.
“Shqiptarët i braktisën këto zgjedhje 30% flet qartë, 70 % e kanë braktisur, 30% mund të jetë administratë shtetërore e Shkodrës, administrate lokale e Shkodrës, ku janë qytetarët e Shkodrës? Koha për konkluzione nuk është sot”.
Para gazetarëve u angazhua për reflektim brenda Partisë Demokratike, por pa prekur postin e tij si kryetar.
Basha nënvizoi se besimin tek qytetarët do ta rikthejë me anë të një reforme të re zgjedhore, duke theksuar se PD mbetet e vetmja shpresë për shqiptarët.
“Jemi në një situatë anormale për shkak të humbjes së besimit të shqiptarëve te vota. Qëndrimi në shtëpi i 70% të votuesve, është një mesazh shumë i fortë. Ne merrnim sa të donim me individë, të cilët edhe e kanë dëmtuar Partinë Demokratike”.
Kështu u shpreh Lulzim Basha, teksa komentoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të 6 marsit, ndërsa shtoi edhe njëherë se PD-ja është dhe mbetet shpresa e shqiptarëve.
“Me ndihmën e krimit të organizuar, askush nuk mund të jetë e ardhmja e vendit. Duhet të lexohet mirë pjesëmarrja 30%. Shqiptarët e kanë humbur besimin te vota, te demokracia. Drejtimi i parë është ai që kemi nisur, i reformës zgjedhore. Reflektimi i dytë është brenda nesh.
Administrata shtetërore është detyruar të marrë pjesë në këto zgjedhje, bandat janë përfshirë po ashtu, ndërsa PD-së u janë mohuar komisionerët. Pjesë e kësaj është edhe sulmi edhe lufta që i është bërë PD-së. Unë jam i vendosur që PD-ja ta kthejë këtë situatë”, u shpreh Basha.
Në fund, ai tha se nuk ka humbur asnjë garë në jetën e tij. “Jam përballur me masakra zgjedhore, por unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time. Lufta ime nuk është për fatin tim personal, por për shqiptarët”, tha Basha. (A2 Televizion)