Basha takon Plenkoviç: Do të bëj realitet Shqipërinë evropiane, si liberalizimin e vizave dhe NATO-n

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2021, 11:44 | Politikë
Basha takon Plenkoviç: Do të bëj realitet Shqipërinë

Pas vizitës në Slloveni kreu demokrat, Lulzim Basha, është ndalur sot në Kroaci, ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Në një deklaratë pas takimit, kreu i opozitës u shpreh se prioriteti i tij dhe i Partisë Demokratike është integrimi në bashkimin Evropian.

“Për mua dhe për Partinë Demokratike, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përshpejtimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë pas ngecjes në vend numëro gjatë 8 viteve të këtij procesi. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Kjo ka qenë në qendër të bisedës që kam zhvilluar me mikun tim, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç”.

Kreu i selisë blu theksoi se siç bëri realitet liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, po ashtu do të bëjë realitet ëndrrën evropiane.

“Unë jam i bindur se do t'ia dalim siç bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, siç liberalizuam vizat, hoqëm vizat për shqiptarët, do të bëjmë realitet edhe Shqipërinë europiane me ndihmën e BE-së dhe vendeve anëtare duke përfshirë këtu Kroacinë mike dhe aleate”.

Duke e konsideruar turizmin një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij kur të vijë në pushtet, Basha tha se do të marrë nga Kroacia modelet më të mira. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos