‘’E goditëm ne anijen pranë Finlandës!’, Zelenski e pranon, Norvegjia: Kievi t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare

Nga Rosalba Bejdo
24 Nëntor 2026, 18:03 | Bota

‘’E goditëm ne anijen pranë Finlandës!’,

Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmon se sulmi me dron ndaj anijes tregtare ruse Sparta II, më 21 nëntor, në Gjirin e Finlandës, ishte kryer nga Ukraina. Ai e cilëson goditjen plotësisht të ligjshme, duke deklaruar se çdo anije me flamur rus që transporton armë apo mallra të sanksionuara është objektiv legjitim për Ukrainën.

Ndërkohë, sipas The Wall Street Journal, shërbimet speciale ukrainase kishin monitoruar prej muajsh lëvizjet e anijeve ruse në Mesdhe. Ky informacion ndihmoi në planifikimin e një operacioni me dronë detarë, i cili më 23 nëntor goditi një korvetë ruse në portin libian të Bengazit dhe i vuri flakën një anijeje mallrash.

Zelensky pranoi se disa partnerë evropianë janë të shqetësuar për incidentet në Detin Baltik dhe tha se ka udhëzuar ministrat dhe ushtrinë të komunikojnë më shumë me ta, për të shmangur surprizat.

Norvegjia, një prej aleatëve të ngushtë të Ukrainës, bëri thirrje për përmbajtje, duke theksuar se Kievi duhet të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Në një intervistë për Bloomberg, Zelensky zbuloi gjithashtu se të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff synojnë arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë paqeje, idealisht deri në janar. Por Kievi paralajmëron se nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje në kurriz të territorit dhe sovranitetit të Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos