
Kosova ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e organizimit më të ri europian, atë të propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, të quajtur Bashkësia Politike Evropiane.
Takimi i parë i këtij forumi do të mbahet më 6 tetor në Pragë dhe pjesë e tij pritet të jenë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Islanda, Litenshtajni, Moldavia, Norvegjia dhe Zvicra, ndërsa ftesë u është dërguar dhe Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë dhe Ukrainës.
Ky takim do të mbahet para një samiti joformal të liderëve të bllokut evropian. Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë për sigurinë, emigracionin dhe ndryshimet klimatike, por edhe për situatën aktuale ekonomike, të krijuar pas luftës në Ukrainë.
Idenë për krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane e prezantoi në maj presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ky forum ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Megjithatë, Franca, por edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka mbështetur Bashkësinë Politike Evropiane, kanë thënë se ky forum nuk duhet të jetë alternativë e zgjerimit të BE-së. (A2 Televizion)