
Qëllimi i Bashkimit Evropian është të vaksinojë 70% të të rriturve në secilin shtet anëtar "deri në verë", deklaroi Komisionerja e Shëndetësisë së Evropës Stella Kyriakides gjatë një samiti virtual të enjten.
“Ne po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që vaksinohen çdo ditë dhe ne po ndërmarrim veprime vendimtare për të rritur prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në të gjithë BE-në. Por ne jemi shumë të vetëdijshëm se duhet të vaksinojmë sa më shpejt që të jetë e mundur", tha Kyriakides.
"Ne kemi vendosur një objektiv të përgjithshëm për vendet anëtare që ata duhet të vaksinojnë një minimum prej 70% të popullsisë së tyre të rritur deri në verë, është një qëllim ambicioz, por është i arritshëm," shtoi ajo.
"Parashikimet rreth dërgesave janë thelbësore edhe pse për një shpërndarje efikase, dhe së bashku me vendet anëtare ne po punojmë 24 orë në ditë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kompanitë të përmbushin marrëveshjet tona", theksoi komisionerja europiane.
"Ne jemi gati të përditësojmë ose të përfundojmë marrëveshje të reja të përparuara të blerjes së vaksinave dhe po punojmë shumë ngushtë me prodhuesit”, shtoi Kyriakides. (A2 Televizion)