
Qeveritë e Afrikës Perëndimore po garojnë për të përpunuar arin brenda vendeve të tyre, me synimin për të përfituar më shumë të ardhura nga minierat, në një kohë kur çmimet e arit janë në rritje, si dhe për të zvogëluar varësinë nga qendra të tilla si Dubai.
Por minatorët dhe investitorët paralajmërojnë se rajoni mund të jetë duke ndërtuar më shumë kapacitete rafinimi sesa ka ar për të përpunuar. Kjo rrit rrezikun e krijimit të impianteve të papërdorura dhe të kthimeve më të ulëta për investitorët dhe qeveritë. Prodhuesit mund të përballen gjithashtu me çmime më të ulëta nëse rafineritë vendase nuk kanë qasje në tregjet kryesore të arit.
Që nga viti 2024, Gana, Guinea, Mali dhe Burkina Faso kanë nisur ose njoftuar projekte me një kapacitet vjetor të kombinuar pothuajse dyfishin e prodhimit të arit në Afrikën Perëndimore. Ndryshe nga boksiti apo xeherori i hekurit, ku përpunimi mund të rrisë ndjeshëm vlerën, pjesa më e madhe e vlerës së arit realizohet që përpara procesit të rafinimit.
"Ambicia jonë nuk është më të jemi vetëm një vend që nxjerr lëndët e para dhe i dërgon ato jashtë vendit. Ne duam t'i rafinojmë të gjitha metalet tona në nivel lokal. Për gjithçka që lidhet me industrinë nxjerrëse, ne duam të kemi të gjithë zinxhirin e vlerës brenda vendit. Dhe po fillojmë me arin. Siç e përmenda më parë, në nëntokën tonë ka shumë metale të tjera që duam t'i nxjerrim, por duam të kemi kontroll mbi të gjithë procesin, deri në detajet e fundit".
Katër drejtues të industrisë minerare thanë se kjo situatë i detyron rafineritë të konkurrojnë në një biznes me marzhe të ulëta fitimi, ku suksesi tregtar varet më shumë nga kapaciteti i përpunimit, akreditimi dhe qasja në tregjet globale.
Që nga viti 2024, qeveritë e Afrikës Perëndimore kanë nisur ose vënë në funksion të paktën katër rafineri të mëdha ari, me një kapacitet vjetor të kombinuar prej më shumë se 1.000 tonësh metrikë, krahasuar me prodhimin e vlerësuar rajonal prej rreth 585 tonësh.
Pavarësisht se tashmë operon disa rafineri që nuk shfrytëzohen plotësisht, Gana, prodhuesi më i madh i arit në Afrikë, planifikon të ndërtojë një rafineri të re me kapacitet prej 600 tonësh në vit, e cila pritet të nisë aktivitetin në vitin 2027.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtarëve të Arit të Ganës, Dan Krampah, deklaroi se nuk ka "arsye ekonomike bindëse për një rafineri tjetër". (A2 Televizion)