
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vendosur të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, organi këshillimor, i cili mbështet atë në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore.
Mbledhja do të mbahet me datë 23 janar, në orën 14:30, dhe pritet të ketë si temë kryesore analizën e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe diskutimi i prioriteteve për vitin 2023.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar synon që të japë një panoramë të plotë dhe integruar të gjendjes së Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë dhe të diskutojë prioritetet për vitin në vijim në funksion të angazhimit të plotë, gjithëpërfshirës të institucioneve në garantimin e sigurisë, lirisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe 7 ministra: i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.
Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ndërkohë që presidenti mund të ftojë edhe personalitete të tjera. (A2 Televizion)