Berisha në selinë e PD: Basha është njeriu i karrigeve, unë jam i pasionit

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2021, 14:48 | Politikë
Berisha në selinë e PD: Basha është njeriu i karrigeve,

Pasi u rikthye në selinë e PD-së, Sali Berisha mbajti një fjalim në ambientet e brendshme të saj, ndërsa Lulzim Basha mbante një tjetër mbledhje në një sallë paralele.

Berisha u shpreh se pas kuvendit kombëtar të së shtunës, ka marrë mbështetjen e konservatorëve në Europë dhe në botë.

“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës sime, kjo konferencë është më e veçanta. Kjo konferencë mbahet sot pas kuvendit kombëtar të rithemelimit të PD-së, ngjarje kjo absolutisht unike, si monument lirie e grave dhe vajzave të lira, që në kundërshtim, në përballje me narkoshtetin dhe nomenklaturën, me pengkryetarin, por edhe me presione të tjera të pandershme, ngrihen si viganë në një kuvend të lirë dhe vendosin të shndërrojnë PD-në në shtëpinë e lirisë; vendosin të rikthejnë fuqishëm pluralizmin politik në Shqipëri. Ju garantoj se pas themelimit të PD-së në vitin 1990 dhe aktivit të saj kombëtar, ky kuvend ishte më perëndimor në rrafshin e vlerave që sanksionoi në kushtetutën e PD-së. Jehona e këtij kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij, është e jashtëzakonshme në çdo zemër shqiptari, të të gjithë atyre që duan liri. Ju informoj me kënaqësi se personalitetet më të respektuara të krahut konservator në Europë dhe në botë shprehën përgëzime për demokratët shqiptarë. Shpreh kënaqësinë për zhvillimin në Shqipëri dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar ngushtësisht me PD-në e rithemeluar në kuvendin e jashtëzakonshëm në të saj, në mënyrë që PD-ja të përmbushë misionin e saj të madh. Basha është njeriu i karrigeve, unë jam i pasionit”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai u bëri thirrje demokratëve të pavendosur që të bëhen pjesë e kësaj lëvizje në parti. “Në mbledhjen që sapo u mbyll, unë u dërgova një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokratëve në Shqipëri. Nëpërmjet jush përcjell një thirrje miqësore ndaj çdo demokrati që ende nuk ka vendosur të bashkohet me PD-në, është i mirëpritur”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos