
Sot Sali Berisha është rikthyer në Shkodër për disa takime elektorale dhe fillimisht u ndal me fermerët e Anës së Malit. Lideri historik i demokratëve, u kërkoi të mbështesin kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, Bardha Spahia, për zgjedhjet vendore të 6 marsit. Po ashtu, Berisha përsëriti akuzat ndaj kryedemokratit Basha, i cili sipas tij ka vendosur logon e PD-së në shërbim të interesave të tij dhe të Edi Ramës.
Për deklaratat e Berishës reagoi edhe PD-ja zyrtare, duke thënë se është thjesht “mashtrimi i radhës” nga ana e tij. “Non grata vjen vërdallë nëpër Shqipëri, duke përdorur kandidatët e Shtëpisë së Ilirit për hallin e tij. Non grata nuk mund të pranojë njeri tjetër, prandaj kudo është ai, si kandidat, si kryetar, si udhëheqës, sa edhe Enver Hoxha do ia kishte zili. Edhe emrat e pseudokandidatëve i prezanton me foton e tij. Sa më shumë i shtohen hallet, aq më shumë i shton mashtrimet. Siç bëri kur si një frikacak tha se do votonte kundër e kur erdhi koha e votës iku si burracak. Demokratët e dinë se ai ka hallin e tij, ashtu se si edhe me 8 janar, qëllimi i tij është shkatërrimi i Partisë Demokratike. Sot, çdo shqiptar e ka të qartë: nëse mbështet Berishën e Metën, mban Ramën”, thuhet në reagimin e PD-së. (A2 Televizion)