Rama në Nju Jork, takohet me kreun e OKB: Shqipëria sapo ka marrë përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me SHBA

Nga A2 CNN
14 Shkurt 2022, 22:35 | Politikë
Rama në Nju Jork, takohet me kreun e OKB: Shqipëria sapo ka marrë

Kryeministri Rama, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ka zhvilluar një takim këtë të hënë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ky takim vjen pak javë pasi Shqipëria ka nisur mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit, ndërsa Rama bën të ditur se Shqipëria sapo ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara.

“Nju Jork, selia e Kombeve të Bashkuara - Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres, pak javë pasi Shqipëria ka nisur mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit, ku sapo ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara”, shkruan Rama në Facebook, ndërsa bashkëngjitur ka shpërndarë edhe pamje nga takimi.

https://a2news.com/2022/02/05/shba-dhe-shqiperia-bashkautore-te-nismave-per-ukrainen-ne-keshillin-e-sigurise-se-okb/

Pak ditë më parë, Departamenti i Shtetit konfirmoi se SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, ky term përdoret për të treguar se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara do të mbajnë bashkautorësinë për çështje dhe nisma që kanë lidhje me sigurinë e me paqen, veçanërisht për Ukrainën. “Vendet tona do të ndajnë informacion në mënyrë prioritare, do të jenë në origjinë të çdo nismeje që lidhen me këtë temë”, tha Xhaçka.

“Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, Shqipëria merr një përgjegjësi të madhe, me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ngjit një shkallë të re në partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.

“Krijimi i këtij çifti, SHBA-Shqipëri, në Këshillin e Sigurimit, është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm, me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnere të ngushta në këtë proces, do të ndërmarrin. Gjë që konfirmon qartësisht pozicionin pa ekuivok të vendit tonë, në këtë çështje kaq akute”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos