
Presidenti amerikan Joe Biden duket se nuk është aspak i kënaqur nga treguesi më i rëndësishëm i ecurisë së ekonomisë amerikane. Sipas shifrave të Departamentit të Punës, vetëm 194 mijë vende pune u shtuan në muajin shtatorit, shumë larg targetit të administratës Biden, teksa ekonomistët parashikonin një shtim prej 500 mijë vendesh të reja pune. Siç raporton Kaitlan Collins nga CNN, presidenti fajëson Kongresin, për faktin se ekonomia është ende larg pritshmërive.
Ekonomia amerikane është ende larg rimëkëmbjes, së paktën larg pritshmërive.
“Shifrat e punësimit ende na kujtojnë punën e rëndësishme që kemi dhe investimet e rëndësishme që duhet të bëjmë”, tha Biden.
Gjatë muajit shtator, në SHBA u shtuan vetëm 194 mijë vende të reja pune, larg parashikimit më minimal të ekonomistëve.
“Në fakt po bëjmë progres real. Ndoshta jo aq shpejt sa duhet. Do doja të shihja progres më të shpejtë por po punojmë për këtë”.
Presidenti Biden tha se këto shifra ishin pasojë e dominimit të variantit Delta gjatë shtatorit.
"Raporti i sotëm bazohet në një vëzhgim që është bërë në javët e para të shtatorit, kur rastet e Covid-it arritën në 150 mijë në ditë. Prej asaj periudhe, rastet e reja kanë rënë me thuajse 1/3”.
Gjithsesi Biden ishte optimist për rënien e normës së papunësisë. "Për herë të parë që nga marsi 2020, norma e papunësisë në SHBA është nën 5%”. Por rënia nga 5.2 në 4.8% mundtë jetë pasojë e largimit përfundimisht të forcës së punës, për shkak të atyre që dolën në pension. Ndërsa sekretari I punës shpjegoi shifrat e punësimit gjatë shtatorit, ndërsa një përgjigje e dha për ata që ende shpresojnë për përfitimet e papunësisë nga pandemia.
“Dy muaj më parë, të gjithë më pyesin për 300 dollarët e papunësisë. Tani nuk ka më 300 dollarë. Nuk pamë rritje nga 300 dollarët”, tha sekretari i punës Marty Walsh.
Shifrat më të fundit, duket se i shtojnë edhe më shumë dhimbjen e kokës kreut të Shtëpisë së Bardhë, që paralelisht përballet me shqetësimet e inflacionit, mungesën e forcës punëtore dhe çmimet e naftës dhe gazit, aktualisht në pikun më të lartë që prej 2014-ës.
“Mendoj se në shumicën e rasteve, problemi është vetëm1, që pandemia ka ngjallur frikë tek njerëzit, që ata të rikthehen në punë”, thotë Walsh.
Edhe pse me kundërshti të forta brenda Kongresit, presidenti thotë se raporti për vendet e reja të punës është pozitiv, teksa këmbëngul se ekonomia amerikane do të rimëkëmbet, pavarësisht pandemisë.
“Amerika është ende ekonomia më e madhe në botë. Ne ende kemi punëtorë produktivë dhe mendjet më innovative në botë por nëse nuk lëvizim tani, rrezikojmë të humbasim avantazhin tonë si komb”, u shpreh Biden. (A2 Televizion)