Bilanci i trajnerit të U-21, Bushi: Historike ngjitja në vazon 4, vitin tjetër synojmë kualifikimin

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2020, 15:14 | Futboll
Bilanci i trajnerit të U-21, Bushi: Historike ngjitja në vazon 4,

Katërmbëdhjetë pikë të grumbulluara në eliminatoret e Europianit të 21-vjeçarëve dhe pozicionimi në vendin e tretë, pas Anglisë dhe Austrisë. Trajneri i Shpresave, Alban Bushi është i kënaqur nga bilanci i kuqezinjve të vegjël, edhe pse mbetet pengu i hapave fals, që mund ta kishin mbajtur ekipin në garën për t’u kualifikuar.

 “Ishin eliminatore shumë të mira, sepse në fund ne arritëm të grumbullojmë 14 pikë si asnjëherë më parë, duke u renditur në vendin e tretë, diçka fantastike për ne. Kemi gabuar në dy ndeshje si ajo në Andorra dhe me Turqinë në shtëpi. Aty gabuam dhe nëse do të kishim ato pikë do të ishim kualifikuar në Kampionatin Europian, që do të ishte arritje e madhe për të gjithë Shqipërinë”, theksoi Bushi.

Me paraqitjen e bërë, Shpresat u ngjitën në vazon e katërt të shortit për edicionin e ardhshëm. 

 “Ishin plot 40 futbollistë që morën pjesë këtë edicion. Këtë arritje, mund ta cilësoj pa frikë historike. Kjo është diçka shumë e mirë për Shqipërinë, sepse mendohet se nga vazo 5 dhe 6 do të kemi dy kundërshtar më të lehtë në letër nga sezoni ardhshëm”, vijoi trajneri.

Bushi nuk fshihet dhe në edicionin e tretë në krye të stolit të 21-vjeçarëve, synon të luftojë për kualifikimin në finalet e kampionatit europian.

“Unë kam shumë besim se do të bëjmë shumë mirë, pse jo të luftojmë edhe për kualifikim, pavarësisht nga kundërshtarët që do të kemi përballë. Unë jam prej dy edicionesh të U-21 dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë ekip i madh apo ekipi vogël. Të gjithë ekipet janë njësoj për ne”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos