
Kupa e Shqipërisë është e vetmja shpresë për Vllazninë për të marrë biletën e fundit në Conference League. Shkodranët nuk arritën të ishin në katër vendet e para të kampionatit për të siguruar një vend në Europë, prandaj tani më presioni është totalisht tek ata, pasi vetëm fitorja në Kupë, mund të shpëtonte sezonin e kuqebluve.
“Nuk është një sfidë e shumëpritur, është një detyrim që kemi ne ndaj klubit. E konsideroj si detyrim edhe pse kam qenë pjesë e skuadrës kundërshtare që ne luajmë nesër. Situatat në futboll kështu janë. Siç na duhet ne kjo fitore, i duhet dhe Laçit kjo fitore”, tha Josa.
“Skuadra është e përgatitur, është gati, pavarësisht si shkuan gjërat që ekipi mbeti jashtë Europës, skuadra është gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen e nesërme dhe me ndihmën e zotit shpresoj që kupa të shkojë përsëri në Shkodër për vitin e dytë rresht”, tha Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë.
Nga ana tjetër dhe Laçi kërkon ta mbyllë me të paktën një trofe këtë sezon. Për nënkampionët e Shqipërisë bën tifo dhe Kukësi i Skënder Gegës, i cili e mbylli në vendin e katërt dhe siguron biletën e fundit për në Conference League.
Finalja e Kupës Laçi-Vllaznia do të luhet, këtë të martë, në orën 19:00 në stadiumin kombëtar në Tiranë. (A2 Televizion)