
Nga Fadil Maloku
(Analizë sociologjike)
1. Realisht dhe me argumente të besueshme komplementare (sociologjike, politike, psikologjike dhe strukturore), mund të argumentohet shprehimisht edhe të shpjegohet debakli i plotë i opozitës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mirëpo, përtej argumenteve që po i identifikoj si komplementare, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje mund të shpjegohet edhe përmes disa argumenteve të tjera shtesë, të cilat ushtruan shumë më shumë fuqi morale sesa politike.
Argumente këto që kryesisht mund të ndërlidhen si me strukturën e shoqërisë kosovare, ashtu edhe me procesin e transformimit tonë të ndodhur kulturor dhe me natyrën e frymës së pushtetit simbolik që po hetohet e dëshmohet se ende ka ndikim në mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë sociopolitike. Ndër këto argumente, që dikujt mund t’i duken si periferike, duhet t’i “inkuadrojmë” pa rezerva të theksuara sidomos argumentin e halo-efektit të “psikologjisë së turmës” që, në rastin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e kreu “punën” në mënyrë perfekte; pastaj, atë të “efektit të pushtetit dhe të liderit dominues”, që po ashtu u dëshmua gjatë gjithë procesit të ngërçit; dhe sidomos atë të “efektit të logjikës ndëshkuese”, që e finalizoi humbjen definitive opozitare e, në veçanti, atë të LDK-së dhe të Nismës.
2. Megjithatë, nëse u adresohemi argumenteve kyçe sociologjike, kuptojmë se debakli opozitar nuk ishte i papritur, as spontan, madje as i rastësishëm. Tjetër është fakti që disa media dhe analistë u përpoqën me mish e me shpirt ta “mirëmbanin” përmes anashkalimit dhe improvizimit që u manifestua gjatë “odisejadës” së shfajësimit të opozitës së ngelur në “prangat” e vetëkënaqësisë së përkohshme, duke harruar kështu se shoqëria kosovare nuk është aq naive sa të reagojë me automatizëm ndaj krizave artificiale (sikurse ajo e ngërçit) që i ngriti një nga një dhe me paramendim taktik e strategjik ish-qeveria, por edhe ndaj akumulimit shumëvjeçar të zhgënjimeve dhe frustrimit që i “dizajnuan dhe ushqyen” faktorët e papunësisë së madhe, ata të migrimit masiv, pastaj ata të korrupsionit galopant dhe sidomos faktorët e drejtësisë selektive në gjyqësi e prokurori.
3. Dhe, çka është më interesantja, i gjithë ky zhgënjim dhe frustrim u adresua me të gjitha mjetet kah qeverisja e ish-opozitës, ndërkaq blloku ish-qeveritar shfrytëzoi rastin dhe u imponua si zgjidhje reale, por edhe si alternativë e vetme për shkarkimin e këtij frustrimi të stërzgjatur kolektiv. Paradoksi sociologjik i këtij fenomeni qëndron në faktin se VV-ja, si “adresë” dhe zgjidhje e vetme alternative, në vend që ta ruante dhe ta kultivonte me xhelozi fanatike diskursin antisistem që e kishte kultivuar e ndërtuar me mund gjatë historisë opozitare, ajo, me të marrë pushtetin, u shndërrua, apo thënë më saktë u “shkri”, në vetë sistemin që e kundërshtonte aq ashpër dhe me të gjitha metodat makiaveliste.
Dhe çka është edhe më e çuditshme: mu kjo “aftësi” apo prirje e akomodimit i mundësoi asaj një përfitim të dyfishtë: në njërën anë, ajo ruajti me xhelozi fanatike “gjuhën e protestës” publike (që e ushtroi përmes mediave sociale) ndaj deformimeve, skandaleve dhe aferave që u lansuan pandalur (jo nga ish-opozita, por kryesisht nga mediat), jo përmes aktvendimeve gjyqësore, por përmes akuzave improvizuese dhe skenave banale që u kumtuan gjatë ngërçit; ndërkaq, në anën tjetër, ajo ia arriti ta ruajë po ashtu edhe pushtetin që e kishte fituar me “frymën” e krijuar ndaj antisistemit në zgjedhjet e vitit 2021.
4. Thënë ndryshe, VV arriti jo vetëm ta krijojë perceptimin, por edhe ta “shesë” atë në tregun publik nga pozicioni i të qenit të një pushtetësi që nuk heziton ta “luftojë” të keqen e deformimin edhe brenda vetes së saj. Ishte kjo një formë e rrallë e legjitimitetit të dyfishtë, e cila nuk ishte parë më herët në skenën politike të Kosovës.
Argumentin tjetër që deri diku e “kualifikon” debaklin opozitar si fakt politik, mendoj se duhet kërkuar te koncepti i logjikës së dobësimit të besimit ndërqytetar, ku figura e Albin Kurtit sërish u aktivizua si një autoritet i pakontestuar karizmatik që mund të garantojë disiplinë të hekurt partiake, që di të vë kontroll maksimal mbi resurset ekonomike dhe siguri e stabilitet social, shumë më shumë sesa ish-opozita që ende e kishte të “varur” në qafë hipotekën e skandaleve dhe aferave të pasluftës.
Pra, VV, përmes diskursit moralist, që në shoqëritë e brishta, siç është kjo kosovare, është dëshmuar shumë herë më mobilizues sesa diskursi racional-politik, arriti ta zhvendosë politikën nga binarët e nevojave ekonomike në ata moralë. Dhe pikërisht ky ishte ai momenti i kthesës për debaklin opozitar, të cilin ende s’po arrijnë ta kuptojnë as mediat, as analistët, madje as “ekspertizat” partiake opozitare të vendit! Natyrisht, kjo zhvendosje nga sfera ekonomike në atë morale prodhoi atë gjendjen e njohur hobbesiane, ku “lufta e të gjithëve” (të korruptuarve) “kundër të gjithëve” (të ndershmëve) u bë lajtmotivi kryesor i kurorëzimit të fitores historike të 28 dhjetorit 2025. Kur jemi te diskursi i moralizimit, duhet theksuar se ai asnjëherë dhe askund nuk ka kërkuar as prova e as argumente të çfarëdo natyre, por vetëm ka insistuar në besim e përkrahje të skajshme qytetare ndaj karizmës së lidershipit.
5. Pra, me këtë qasje, shumë më shumë moralizuese sesa praktike e pragmatike, Albin Kurti dhe VV ia arritën të vendosin një monopol të pakontestuar simbolik mbi narrativën e shpresës si plebishit moral për tema sikurse ishin ato kundër oligarkisë, kundër Serbisë dhe kundër opozitarëve e ndërkombëtarëve paternalistë.
Dhe nëse provojmë tani ad hoc të analizojmë prononcimin e Albin Kurtit në mbrëmjen e mbylljes së së drejtës për të votuar, kuptojmë, ndër të tjera, se në mandatin Kurti 3 ai nuk duket se do t’u rikthehet temave mbi “kujtesën direkte të luftës”, as narrativës së “lavdisë së UÇK-së”, e as “heroizmit historik”, por kërkon publikisht drejtësi maksimale sociale, pajtim dhe gatishmëri për bashkëpunim ndërpartiak dhe tolerancë maksimale ideologjike.
Ky prononcim kaq transformues, për gjykimin tim, dëshmon, përveç të tjerash, edhe një normalizim të diskursit të dikurshëm radikal në një diskurs kompatibil me habitusin dhe rrethanat e sotme lokale, rajonale e padyshim edhe ato globale, që nënkupton se VV, po edhe ai vetë si lider e qeveritar inteligjent, ngadalë, por sigurt, po normalizohet dhe po shndërrohet në një “mainstream” të kohës së “kaosit” të kontrolluar lokal e rajonal.
6. Në ndërkohë, fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje, mendoj se nuk duhet interpretuar vetëm si votë entuziaste, siç e bëjnë ca politologë e analistë, por edhe si votë ndëshkuese ndaj subjekteve tradicionale si PDK, LDK dhe AAK, të cilat, në “dioptrinë” e qytetarisë kosovare, ende shikohen si subjekte që kanë nevojë të paguajnë tagrin e trashëgimisë së keqqeverisjes së pasluftës që u përcoll me afera korruptive, me klientelizëm dhe kapje të shtetit; pastaj, tagrin e mungesës së një narrative të re mobilizuese, si dhe atë të paaftësisë për t’u shfaqur si alternativë bindëse.
Në këtë këndvështrim, vota plebishitare për LVV, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, duket se vazhdon të “mirëmbahet” më shumë si refuzim ndaj qeverisjeve të pasluftës sesa si afirmim i ndonjë alternative apo projekti të ri. Ashtu që sovrani kosovar vendosi se më mirë është ta ketë në këto katër vite një qeveri të fortë sesa një pluralizëm të dobët që, përveç ngërçeve dhe pasigurisë institucionale, nuk prodhoi asgjë tjetër.
7. Në fund, duhet theksuar se ky rezultat na tregon dhe na dëshmon edhe një fakt tjetër: se shoqëria kosovare, ngadalë por sigurt, po “shkurorëzohet” nga tipi i demokracisë procedurale (ahtisariane) dhe po hyn në një fazë të re e interesante të demokracisë majoritare, ku mund të shfaqen rreziqe që mund të prodhohen si nga asimetria e pushtetit ashtu edhe nga procesi i stërzgjatur i tranzicionit. S’këndejmi themi se 28 Dhjetori ishte shumë më shumë referendum moral sesa votë që i dha Kurtit pushtet absolut… (A2 Televizion)