Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli sot për herë të parë në konferencë për mediat, ku foli ndër të tjera për listën me 27 futbollistë të grumbulluar për ndeshjet miqësore të muajit qershor.
Tekniku italian foli për idetë e tij të para taktike dhe mënyrën se si synon të ndërtojë skuadrën në prag të sfidave të ardhshme, duke u shprehur se do të provojë me një mbrojtje me 4 lojtarë.
“Qëllimi është të kemi mbrojtje me 4 lojtarë dhe sigurisht duke përdorur 3 lojtarë më ofensivë. Duhet të provohet dhe verifikohet në momentin që do kem lojtarët këtu. Nuk dua t’i paraprihem ndoshta një zgjedhjeje që mund të bëjë bllof në moment të caktuar. Dua të jem i sinqertë. Të shoh lojtarët dhe pastaj të vendos për modulin”, u shpreh Maran.
Ai theksoi gjithashtu se baza e ekipit do të mbetet grupi aktual, ndërsa ndryshimet do të bëhen me kujdes dhe në mënyrë graduale.
“Është një bllok që këtu ka bërë mirë dhe do të jetë një bllok thelbësor. Ndryshimet duhet të jenë graduale, pasi kemi pak kohë për të bërë ndryshime të mëdha, të cilat mund të bëhen edhe të rrezikshme”, deklaroi trajneri i Kombëtares.
Maran po ashtu u shpreh se Ivan Balliu po mendon tërheqjen nga kombëtarja shqiptare. (A2 Televizion)