
Policia Rrugore e Vlorës ka nisur monitorimin me dron të respektimit të semaforëve të rinj në qytet, raporton A2CNN. Gjatë ditës së sotme, në prani edhe të shefes së qarkullimit rrugor, droni është ngritur mbi rrugën Transballkanike, ku është vëzhguar nga ajri lëvizja e automjeteve dhe respektimi i sinjalistikës rrugore.
Sipas policisë, janë konstatuar dhjetëra drejtues mjetesh që nuk kanë respektuar semaforin dhe janë futur me dritë të kuqe, duke rrezikuar seriozisht këmbësorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës. Për shkelësit janë vendosur dhjetëra masa administrative deri në këto momente.
Policia Rrugore bën apel për më shumë kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit, ndërsa aksioni për monitorimin e trafikut dhe ndëshkimin e shkelësve do të vijojë edhe në ditët në vijim. (A2 Televizion)