
Nga Adri Nurellari
Një ndër librat më mbresëlënës nga studiues italianë që kam lexuar kohëve të fundit ka qenë ai i Giuliano da Empoli titulluar “ Inxhinierët e Kaosit. Teoria dhe Teknika e Lëvizjes Ndërkombëtare Populiste.”
Në të ai shpjegon më së miri duke ilustruar me raste konkrete se politika moderne nuk fitohet më vetëm me ide, programe apo rezultate por me algoritëm, emocion, zemërim dhe kaos të menaxhuar.
Sipas tij, lideri modern populist nuk ka nevojë të bindë shumicën. mjafton të mobilizojë një ushtri digjitale që dominon hapësirën publike, e deformon realitetin dhe krijon perceptimin se lideri është kurdoherë moralisht superior dhe gjithmonë “i vetmi kundër të gjithëve”.
Në atë moment, perceptimi fillon të bëhet më i rëndësishëm se realiteti vetë. Da Empoli pikërisht paralajmëron se inxhinieria e kaosit shënon “braktisjen e të vërtetës objektive” apo “kapitulimin e logjikës së provave” përballë propagandës elektrizuese emocionale.
Qytetari nxitet të mos u besojë më syve të tij, as asaj që prek e jeton çdo ditë, por versionit të realitetit që i shfaqet në ekran. Ky sistem funksionon duke e bërë faktin të duket si opinion ndërsa opinionin e liderit e shet si një ligj të shenjtë natyror apo qiellor.
Kosova sot është laboratori perfekt i këtij modeli dhe ironia është se tashmë kemi edhe “inxhinierin tonë elektrik” politik Albin Kurtin që është bërë mjeshtër i kaosit. Vetëm se në vend të qarkut elektrik klasik, ai duket se ka kuptuar instinktivisht qarkun emocional të populizmit modern. Poashtu e ka kuptuar më mirë se shumica e elitës politike shqiptare se gara e sotme elektorale nuk fitohet më domosdoshmërisht me bilanc qeverisës, por me kontroll të algoritmit emocional: zemërim permanent, konflikt të vazhdueshëm, polarizim moral dhe mobilizim digjital.
Sepse populizmi modern nuk funksionon si politika klasike, nuk ndërton stabilitet; por ndërton tension e paqëndrueshmëri sikurse po e përjetojmë me zgjedhje e reja parlamentare të 7 qershorit.
Prandaj fenomeni Kurti nuk mund të kuptohet vetëm përmes politikës klasike por si fenomen komunikimi masiv emocional. Një kombinim mes populizmit moralist, viktimizimit permanent dhe mobilizimit digjital agresiv.
Megjithatë, Da Empoli nuk është i vetmi që ka pikasur këtë rënie të arsyes në humnerën e emocioneve. Një tjetër mendimtar Italian; Antonio Gramsci, shumë më herët, e kishte kuptuar se beteja kryesore politike nuk zhvillohet vetëm në institucione, por në kontrollin e hegjemonisë kulturore, narrativës dhe perceptimit publik. Populizmi modern digjital e aplikon këtë logjikë në version algoritmik: kush dominon emocionin kolektiv online, fillon të dominojë edhe realitetin politik offline.
Diagnoza e Da Empolit gjithashtu përkon frikshëm edhe me paralajmërimet e Hannah Arendt, e cila na kujtonte se subjekti ideal i sundimit autoritar nuk është nazisti apo komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve nuk ekziston më. Ajo theksonte se masa e bombarduar vazhdimisht me propagandë, kontradikta dhe tension humbet aftësinë për të dalluar të vërtetën nga narrativa.
Në një klimë të tillë, njerëzit nuk ndjekin më domosdoshmërisht faktet; ndjekin identitetin emocional dhe fisin politik ku ndihen të mbrojtur. Po ashtu, kjo 'inxhinieri e kaosit' është jetësimi teknologjik i asaj që Guy Debord e quante 'Shoqëria e Spektaklit', ku imazhi dhe performanca e liderit gllabërojnë çdo përmbajtje substanciale. Në këtë linjë, edhe sociologu Zygmunt Bauman do ta shihte këtë si fazën më toksike të 'modernitetit lëngshëm', ku institucionet e qëndrueshme (si shteti, ligji, tradita) shkrihen për t'u zëvendësuar nga flukse zemërimi digjital që shpërbëjnë gjithçka që iu del para.
Për t’u kthyer tek rasti ynë; ironia kryesore e fenomenit Kurti është kontrasti brutal mes imazhit dhe rezultatit. U shit si inxhinier elektrik i aftë, ndërkohë që Kosova gjatë qeverisjes së tij vuajti pikërisht nga krizat e energjisë, skandale korruptive me importet, furnizim të parregullt dhe çmimet e larta të rrymës.
U promovua si lider i “diturisë”, por në mandatin e tij Kosova pësoi një nga rëniet më dramatike në testin PISA, duke dëshmuar degradim serioz në arsim. U ngrit politikisht si patriot i madh i bashkimit kombëtar në opozitë, por në pushtet arriti të ftohë raportet me Tiranën, të tensionojë marrëdhëniet mes shqiptarëve të Maqedoninë e Veriut dhe ndërkohë Kosova vazhdon të zbrazet nga emigrimi masiv. Fliste çdo ditë për antikorrupsionin, por qeverisja e tij u mbush me skandale, nepotizëm, tenderë dhe afera që dikur vetë do t’i quante “kapje e shtetit”.
Premtoi zhvillim ekonomik e transformim, por ende nuk po arrin të përfundojë as projekte rrugësh të nisura nga qeveri të tjera para më shumë se një dekade. Premtoi ulje çmimesh dhe mbrojtje të qytetarit, ndërsa qytetarët sot përballen me koston më të lartë të jetesës që kanë parë ndonjëherë. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë “inxhinieria e kaosit”: sa më shumë rritet kontrasti mes premtimeve dhe realitetit, aq më shumë duhet konflikt, dramë dhe polarizim për të zhvendosur vëmendjen nga bilanci real i qeverisjes.
Një tjetër element thelbësor është fakti që portalet, studiot televizive dhe analistët; edhe pse kanë qenë tejet kritikë dhe agresivë ndaj Kurtit, nuk i kanë lënë pothuajse asnjë shenjë elektorale viteve të fundit, sepse loja politike ka kaluar nga epoka e “spin doctor”-it tradicional (analistëve klasik të manipulimit mediatik, njeriu që përpiqej të kontrollonte mënyrën se si interpretohej lajmi në media tradicionale) në epokën e Big Data-s (të dhënat masive) , algoritmit dhe mobilizimit emocional digjital. “Big Data” nënkupton grumbullimin dhe analizimin masiv të të dhënave mbi sjelljen, emocionet, frikërat dhe preferencat e njerëzve për të ndikuar mbi ta politikisht dhe psikologjikisht. Sot beteja nuk fitohet më domosdoshmërisht në studio televizive, por në telefonin e qytetarit, në feed-in e rrjeteve sociale dhe në mikrodozat e përditshme të zemërimit, identitetit dhe konfliktit që algoritmet shpërndajnë pa pushim. Në këtë realitet të ri, u pa qartë se një ushtri digjitale militante shpesh ka më shumë ndikim sesa dhjetëra debate TV.
Madje, vetë teknikat e “Big Data”-s dhe mikro-targetimit politik nuk janë diçka abstrakte apo e re për Kosovën sepse politika jonë ka hyrë prej kohësh në epokën e algoritmit, profilizimit psikologjik dhe manipulimit digjital të emocioneve.. Emri i Cambridge Analytica filloi të përmendej publikisht në raportet ndërkombëtare për aktivitete elektorale në Kosovë pas skandalit global të vitit 2018, kur dolën në dritë operimet e saj të dyshimta anekënd botës.
Në epokën e Big Data-s e algoritmeve, arma kryesore janë “Trollat”, të cilat janë profile (shpesh llogari të rreme) apo individë online që provokojnë, sulmojnë, shpërndajnë propagandë ose manipulojnë debatin publik për të krijuar zemërim, polarizim dhe për të mbrojtur apo promovuar një narrativë politike. Ky rrjet fanatikësh ia del të shpërndajë etiketime dhe zemërim me shpejtësi industriale, duke krijuar iluzionin e një revolte spontane popullore edhe kur kemi të bëjmë me mobilizim të koordinuar online nga selia e Vetëvendosjes.
Gjithashtu, duhet theksuar se, në çdo demokraci normale, pushteti kritikohet më së shumti. Në Kosovë sot shpesh ndodh e kundërta; pra kush kritikon pushtetin shpallet armik; gazetari bëhet “mercenar”, analisti “i shitur”, biznesmeni “oligark”, opozitari “tradhtar”, diplomati perëndimor “armik i Kosovës”. Nuk debatohet fare argumenti por sulmohet menjëherë personi. Nuk kërkohet e vërteta por kërkohet linçimi moral.
Kjo është pikërisht ajo që studiuesi italian e quan momenti ku turma digjitale shndërrohet në polici ideologjike. Ushtria e trollsave funksionon sipas një logjike të thjeshtë: përsëritje, agresivitet, polarizim. Një mesazh i thënë një mijë herë fillon të duket si e vërtetë. Një shpifje e shpërndarë masivisht krijon dyshim ndërsa një sulm kolektiv ndaj kujtdo që mendon ndryshe krijon frikë dhe autocensurë.
Përveç emocioneve dhe algoritmeve, elementi i tretë dhe vendimtar i formulës së shpjeguar nga autori në fjalë është kaosi. Nëse emocionet janë shkëndija dhe trollsat me algoritmet janë kabllot që e shpërndajnë energjinë, atëherë kaosi është ambienti që e mban gjithë sistemin ndezur pa pushim. Sepse në klimë kaosi, njerëzit nuk kërkojnë më analiza të ndërlikuara apo rezultate konkrete, por figura që u japin siguri emocionale, zemërim të organizuar dhe përgjigje të thjeshta për probleme komplekse.
Konflikti permanent e mban poashtu liderin tërë kohën në qendër të vëmendjes publike dhe mediatike. Është si një sistem elektrik që mbahet gjallë vetëm nga voltazhi i krizës konstante. Në një ambient konfuz, njerëzit nuk kërkojnë më domosdoshmërisht kompetencë, por siguri emocionale. Turma fillon të kërkojë “shpëtimtarin”, jo administratorin racional.
Madje krizat e njëpasnjëshme e polarizojnë shoqërinë dhe e detyron qytetarin të zgjedhë “anë”, duke forcuar identitetin tribal politik. Në një gjendje kaosi të vazhdueshëm, askush nuk ka kohë ose qetësi të verifikojë vërtetësinë e asaj që dëgjon sepse zhurma e madhe mbyt sinjalin e së vërtetës. Në një klimë normale do flitej për ekonomi, investime, paga, arsim apo diplomacy ndërsa në klimë kaosi flitet për tradhtarë, komplote, sabotime dhe “armiq të popullit”.
Byung-Chul Han argumenton se epoka digjitale nuk prodhon më qytetarë racionalë, por turma emocionale të mbingarkuara nga reagimi i menjëhershëm. Në librat e tij për “psikopolitikën” dhe “infokracinë”, ai shpjegon se rrjetet sociale shpërblejnë impulsin, zemërimin dhe konfliktin, sepse emocionet ekstreme krijojnë më shumë angazhim sesa racionaliteti. Pikërisht për këtë arsye, kaosi bëhet aset politik e jo problem për t’u zgjidhur.
Dhe ndoshta mekanizmi më cinik është se kaosi e lodh shoqërinë deri në pikën ku shumë njerëz dorëzohen intelektualisht. Kur çdo ditë është krizë, konflikt, dramë dhe histeri online, qytetari humbet energjinë për të analizuar racionalisht.
Në atë moment, propaganda nuk ka më nevojë të bindë shumicën, mjafton që shumica të lodhet aq shumë sa të mos reagojë më dhe t’ia mundësojë Kurtit ta gjuajë penalltinë pa pasur portier para rrjetës. (A2 Televizion)