Pasi mbeti në burg, ndahet dosja, por jo ish-bashkëshortët Meta-Kryemadhi

Nga Armand Bajrami
11 Maj 2026, 19:03 | Politikë

Gjykata e Posaçme i refuzoi të hënën Ilir Metës kërkesën e radhës për lirim nga burgu. Në seancën ku nuk ishte i pranishëm Meta, avokati nuk i ndryshoi dot mendimin gjykatës, ndonëse iu referua edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për kriteret e masës “arrest në burg”.

Fill më pas, në një tjetër seancë, gjykata e ndau në dy pjesë dosjen “Meta-Kryemadhi”, por pa cenuar çiftin e ish-bashkëshortëve. Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, dhe ish-deputetja Monika Kryemadhi do të gjykohen bashkë në një proces të veçuar nga të bashkëpandehurit Ema Çoku, Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho. Për këta të fundit u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Vendimi u mor pasi gjykata deklaroi të çelur shqyrtimin gjyqësor dhe dëgjoi akt-akuzën ndaj të pandehurve, seancë e shoqëruar me momente të forta tensioni.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ngriti zërin drejt gjykatës, pasi ajo urdhëroi kamerat televizive të linin sallën. Duke kërkuar transmetim të plotë të procesit, mbrojtësi ironizoi sallat e reja të gjykatës, të inauguruara po atë ditë.

“Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja? Ja ku janë tenderat. Presidenti në kafaz. Me kë talleni ju? S’jemi budallenj”, tha avokati i Metës, të cilit i doli në krah edhe ish-bashkëshortja e klientit të tij.

“Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah”, u shpreh Kryemadhi.

Nga kafazi i xhamtë, vetë Meta ndërhyri disa herë teksa prokurori Kllapi lexoi aktakuzën, qoftë për saktësime, por edhe për sqarime. “Unë kam statusin i divorcuar. Të mos mbaj përgjegjësi për çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha Meta.

Ndërsa kur u lexua nga prokurori një SMS i Metës dërguar kreut të DIA-s, Kastriot Ismailaj, me tekst “më duhen 200 mijë, mos harro”, avokati ndërhyri duke thënë se bëhej fjalë për 200 mijë bluza, pasi ishte kohë fushate.

Pas veçimit të dosjes, trupa gjykuese e kryesuar nga Etleva Deda do të vijojë gjykimin me procedurë të shkurtuar, ndërsa dosja ndaj Metës dhe Kryemadhit do të rihidhet në short. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos