Balotazhi i pazareve politike, vetëm sa e poshtëron votën e qytetarit kosovar!

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2025, 18:55 | Blog

Balotazhi i pazareve politike, vetëm sa e poshtëron votën e

Nga Prof. Dr. Fadil Maloku

Në vend që të shërbejë si instrument demokratik për qartësimin e vullnetit qytetar, balotazhi në Kosovë po shndërrohet në arenë pazaresh politike, ku aritmetika partiake mbulon mungesën e legjitimitetit qytetar. Çështja e lidhjes së aleancave ndërpartiake, me mënyrën dhe stilin që po zhvillohet ndërmjet subjekteve të ndryshme kosovare që nuk kanë asnjë lidhje ideologjike, as parimore, madje asnjë korelacion që i shërben interesit qytetar, në fakt paraqet një absurditet të llojit të vet në gjithë përvojën elektorale të zgjedhjeve në Kosovë. Në thelb, balotazhi është konceptuar për të legjitimuar vullnetin qytetar në nivel lokal përmes votës individuale, jo për të krijuar platforma artificiale bashkimi ndërmjet partive që, në shumicën e rasteve, nuk kanë as afërsi programore, as koherencë ideologjike.

Balotazhi, si shenjë e mosbesimit politik;

Shikuar me dioptrinë sociologjike, insistimi për koalicione pas raundit të parë – sidomos te partitë me vokacion të pasigurt politik – nënkupton një shkallë të lartë mosbesimi në autonominë e votuesit të tipit dyshues apo të pasigurt. Pasiguria në fitore definitive i shtyn kandidatët që të lidhin aleanca jo me qytetarin, por me subjektet e taborrit kundërshtar, për të kanalizuar vullnetin e votuesve në favor të tyre.

Kjo taktikë e njohur tashmë në shumë palë zgjedhje tregon mungesë të një kulture demokratike, ngase synon të mbulojë dobësinë elektorale me aritmetikë politike, jo me legjitimitet qytetar.

Balotazhi, si instrument demokratik apo pazar politik;

Në shumicën e shteteve demokratike, balotazhi përdoret për ta qartësuar vullnetin e njerëzve që votojnë, jo për të shpërblyer partitë për rinegocime të brendshme. Por në Kosovë, ku mekanizmat e kontrollit social dhe politik mbeten ende të brishtë e të varur nga autoritetet partiake, balotazhi shndërrohet në mjet aritmetik e jo demokratik, në arenë pazaresh dhe kompromisesh, shpesh pa asnjë lidhje me interesin publik. Kjo sjellje, në një shoqëri që po emancipon çdo ditë e më shumë elektoratin e vet, mund të kthehet në mjet ndëshkimi qytetar dhe në shenjë irritimi politik ndaj manipulimeve të vullnetit të lirë.

Koalicionet, si paternalizëm elektoral;

Qytetarët e kuptojnë se liderët lokalë dhe partitë, përmes marrëveshjeve të fshehta, përpiqen ta “kanalizojnë” vullnetin e tyre jo në drejtim të interesave reale e ekzistenciale, por të grupeve dhe klaneve brendapartiake. Kjo formë e paternalizmit politik vetëm sa e forcon kulturën e varësisë elektorale, duke dobësuar pjesëmarrjen aktive dhe të lirë qytetare.

Balotazhi, si bumerang i pazarit politik;

Një tjetër absurditet qëndron në faktin se votuesi militant i cilësdo parti, i cili në raundin e parë ka refuzuar një subjekt të caktuar, ka shumë pak gjasa të ndryshojë qëndrim për shkak të një marrëveshjeje klanore të bërë “në zyrat e partive”. Për këtë arsye, shumë koalicione – qoftë parazgjedhore, qoftë të balotazhit – përfundojnë me efekt bumerang, duke demotivuar qytetarët dhe ulur daljen në zgjedhje. Një demokraci shënon progres vetëm atëherë kur kandidatët dhe partitë mësojnë të humbin me dinjitet, jo kur përpiqen të fitojnë përmes koalicioneve të dyshimta që mashtrojnë qytetarin si burim themelor të sovranitetit politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos