
Nga Alfred Lela
Kjo është fotoja e vetme e takimit të vetëm me, tashmë të ndjerin, Fatos Nano. E pata intervistuar për revistën Mapo, kryeredaktor i së cilës isha, në vitin 2012, në një kohë kur Tirana ishte përfshirë nga ‘ethet presidenciale’.
Nano kërkonte nga partia që e kishte rithemeluar që ta mbështeste për President. Takoi Ramën dhe Berishën, dhe doli më i kthjellët dhe më i qetë nga takimi me këtë të fundit, kundërshtarin klasik politik.
Tani, shumë socialistë do të shkruajnë përshpirtje, por mbështetjen ia refuzuan, atë vit tashmë të largët, në atë dëshirë ndoshta të fundit politike.
Për të qenë të vërtetë, jo vetëm krahasuar me veten dhe historinë e tij, por sidomos me presidentët e tjerë, duke e mbyllur me këtë të sotmin, z. Nano do të kishte qenë padyshim një president presidencial, nga ata që tashmë duket se nuk vijnë më në krye të Republikës sonë të lodhur.
Ai iku ndoshta me këtë peng dhe u kthye te hedonizmi i tij.
Sot iku për herë të fundit, për të mbetur socialisti me ‘origjinë të kontrolluar dhe të garantuar’, një varietet shqiptar, bisku i fundit i një partie personalitetesh, ku ai qe primus inter pares, që me Edi Ramën u nis në rrugën ‘përtej së majtës e të djathtës’, dhe është sot në majë të një hiçi të mrekullueshëm, ku të shpie çdo dehje me kult individi.
Nëse Nano e de-enverizoi PS, Rama e rilindi si parti enveriste.
Drita, që lutem të gjejë në jetën e pasosun, i ndihmoftë edhe të këtushmit!
Ngushëllime familjes, dhe të gjithë shqiptarëve socialistë që e njohën si prijës! (A2 Televizion)
