Nga Ben Blushi:
Imagjinoni një njeri që lëviz me një avion lluksoz mbi qiejt e botës dhe aty ku shikon ndonjë zjarr ulet dhe e shuan.
Ky është Donald Trump.
Ai kërkon të shuajë zjarre.
Ka gjetur një lojë të re që po i jep më shumë kënaqësi se pasuria, gratë, golfi dhe zgjedhjet.
E thënë me fjalët e tij, ai kërkon të vendosë paqen në botë.
Dje i testoi dhuntitë si zjarrfikës në Gaza dhe përkohësisht shoi një zjarr që po dilte jashtë kontrollit.
Si një njeri që zbret nga avioni vetëm kur garantohet se ata që e presin do t’i ulen në gjunjë ai shkoi ne Izrael dhe u soll si guvernatorët romakë 2000 vjet më parë.
I dha cifutëve të përulur disa detyra, i premtoi, i lavdëroi, i ngushëlloi, i ngacmoi, i pickoi, caktoi Netanyahun si mëkëmbës deri në zjarrin tjetër dhe iku.
Nga aty shkoi në Egjipt dhe i trajtoi liderët evropianë dhe muslimanë si piromanë të vegjël.
Para se të ikte u mblodhi shkrepset dhe i futi në xhepin e fitoreve të tij.
Tani, në banderolat mikëpritëse që e presin kudo, ai nuk thirret më si President i Amerikës por si Deal Maker më i madh në histori.
Një Kryezjarrëfikës.
Donald Trump beson se historia e ka thirrur të shuajë zjarre.
Ky është deliri i tij që liderët e botës po ia kurojnë me dhurata të përditshme.
Një prej dhuratave që ai pret është cmimi Nobel që mesa duket po ia vonon pak Vladimir Putini, por jo dhe për shumë kohë.
Megjithatë nuk dua të merrem me koreografinë poshtëruese që Donald Trump i imponoi lidervë të botës dje, por me dicka tjetër.
Me Kosovën.
Trump e ka përfshirë Kosovën në listën e zjarreve që ka shuar.
Në fakt nuk është marrë fare me atë zjarr, që frika e palëve e ka lënë në gjendjen që ishte, pa e shuar dhe pa e ndezur.
Duke parë se si i trajton kryezjarrfikësi zjarrvënësit, serbët duhet të jenë të tmerruar dhe as u shkon ndër mend ti fryjnë ndonjë ashkle.
Serbët do presin me shpirt në dhëmbë derisa Trumpi të largohet nga puna dhe t’ia fillojnë prapë.
Mirëpo humbja e kohës nuk i intereson kosovarëve.
Ata nuk duhet të presin.
E parë nga lartësia e avionit të Donald Trump,Kosova pothuajse nuk duket fare.
Tymi i Gazës dhe Ukrainës është aq i dendur sa që nuk lejon të shihet një vatër me prush në mes të Ballkanit.
Kushdo që i sjell ndonjë lajm nga ky vend, me siguri i thotë se ata janë një popull i vogël dhe shumë i ngatërruar me punët e përditshme saqë nuk ndezin dot asnjë zjarr.
Kjo është mirë dhe keq.
Unë besoj se kosovarët duhet të bëjnë cdo gjë që mundet, për ta bindur Trumpin të merret me prushin që po fle për ta shuar një herë e mirë.
Kosovarët duhet ti lënë grindjet e brendshme që po i marrin aq shumë kohë dhe duhet të sillen si ata njerëzit e një fshati të vogël që ia bëjnë me dorë një avioni që sjell ujë në një pyll në mes të flakëve.
Ata duhet ta shfrytëzojnë sic duhet delirin e Donald Trump për të shuar cdo zjarr para se të dalë në pension.
Kosovarët duhet të futen me cdo kusht në listën e sukseseve të Trumpit.
Ata kosovarë që e lexojnë mbrapsht cdo gjë, duhet të dinë se serbët po luten që mundësisht Trump mos merret fare me cështjen e Kosovës këto tre vjet që i kanë mbetur.
Për rrjedhojë kosovarët duhet të bëjnë të kundërtën.
Ata duhet t’i krijojnë kryezjarrëfikësit iluzionin se mund ta shuajë prushin e fjetur me një të fryrë të buzëve.
Në këtë mënyrë mund të arrinin një marrëveshje të madhe.
Trumpi është i lumtur të arrijë marrëveshje aty ku të tjerët para tij kanë dështuar.
Në të kundërt, tre vjet më pas cdo gjë mund të kthehet në pikën zero.
Kushdo që do të vijë në Shtëpinë e Bardhë pas Donald Trump, nuk do vuajë nga deliri i tij si kryezjarrëfikës i botës.
Atëherë me shkrepset e gatshme franceze, angleze, ruse, turke, kineze dhe arabe zjarret në botë do fillojnë sërish.
Nga Gaza deri në Kosovë.
Por atëherë mund të jetë vonë prandaj prushi që mban të gjallë flakët mes serbëve dhe kosovarëve duhet shuar tani.
Me pompën e delirit të Donald Trump, e cila mesa duket funksionon. (A2 Televizion)