33 vjet më parë, më 25 gusht 1992, forcat ushtarake të serbëve të Bosnjës goditën me predha Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë. Zjarri i madh dogji plotësisht pjesën e brendshme të godinës historike, të ndërtuar gjatë sundimit austro-hungarez. Me atë rast u bënë shkrumb e hi rreth dy milionë libra, revista dhe dorëshkrime të rëndësishme që dokumentonin historinë e Bosnjës.
Vijeçnica, siç quhet ndërtesa edhe sot, fillimisht ishte seli e bashkisë së Sarajevës. Ajo u hap më 20 prill 1896 dhe vazhdon të jetë ngrehina më impozante e kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërtimin e saj e nisi arkitekti austro-hungarez Alexander Wittek, por pas vdekjes së tij punën e përfundoi arkitekti kroat Ćiril M. Iveković. Skicën e parë për ta ndërtuar këtë godinë e ofroi arkitekti çek Karel Parik.
Vijeçnica, në gjermanisht Rathaus, ishte një përshëndetje arkitektonike austro-hungareze për Sarajevën. Pas marrjes nën administrim të Bosnjë-Hercegovinës, Perandoria Danubiane (austro-hungareze) nisi punët e mëdha infrastrukturore për ta modernizuar vendin. U ndërtuan hekurudha e parqe, u shtruan rrugë dhe u ngritën ndërtesa reprezentative. Njëra ndër to ishte Vijeçnica.
Arkitektura e saj imiton stilin e ndërtimit të maurëve, pra stilin arab të ndërtimit në Magreb dhe në Andaluzi mes shekujve VIII dhe XVIII. Me këtë ndërtim Perandoria Austro-Hungareze shprehte edhe simpatinë për myslimanët e Bosnjës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, komunistët e shndërruan Vijeçnicën në Bibliotekë Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës.
Procesi i rindërtimit të Bibliotekës, pas shkatërrimit që ia bëri soldateska serbe, zgjati rreth 20 vjet. Vijeçnica e rindërtuar u hap më 9 maj 2014, në 100-vjetorin e atentatit në Sarajevë, kur terroristi serb Gavrilo Princip vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand. Para atentatit, Gavrilo Princip ishte përpjekur të vinte në Kosovë për të ndihmuar pushtimin serb të Kosovës. E kthyen në kufi komandantët serbë për shkak se ishte shëndetlig. (A2 Televizion)