Vendosja 375 kamera me inteligjencë artificiale në 20 shkolla në qarkun e Tiranës, ka rikthyer debatin për privatësinë dhe sigurinë në shkolla. Në Dita Jonë në A2 CNN aktivistja Suela Koçibellinj dhe eksperti IT Tomi Kallanxhi ngritën shqetësimin se kjo nismë nuk adreson problemet reale të sistemit arsimor. Sipas tyre, teknologjia nuk mund të zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore dhe as të zgjidhë konfliktet që lindin nga faktorë socialë dhe familjarë.
“Unë mund ta kuptoj që një shkollë mund të jetë më problematike, por nuk e zgjidh kamera problemin e shkollës, sepse problemi shpesh herë është fjala e gojës që kamera nuk e percepton. Pra është sjellja, mimika e fytyrës, shikimi, emocioni që fëmija ka apo emocionin që mësuesi ka dhe nuk e zgjidh këtë gjë në kamera. Kështu që këto unë mendoj që kur ne themi këtë formulën magjike kamera me AI, gënjejmë veten. Pra i bëjmë bisht problematikave kryesore të cilat nuk janë të lehta për t'u qasur. Pra ka nevojë për plan ndërhyrje në përputhje me çdo shkollë. Jo të gjitha shkollat kanë të njëjtin realitet”, tha aktivistja Koçibellinj në Dita Jonë në A2 CNN.
Edhe eksperti IT Tomi Kallanxhi, ngriti shqetësimin në lidhje me privatësinë e nxënësve, dhe mënyrën se si do të përpunohen dhe ruhen të dhënat. Ai paralajmëron për rrezikun e abuzimit me këto të dhëna dhe mungesën e transparencës mbi aksesin dhe përdorimin e tyre.
“Për mendimin tim në qoftë se duhet të vendosen ato kamera, paraprakisht duhet të bëhet një mbledhje me gjithë prindërit, duhet t'u tregohet si do përdoren këto të dhëna. Edhe pse shumë pak prindër e perceptojnë privatësinë e fëmijëve të tyre. E para njëherë ta nisim që nga problemet që janë me inteligjencë artificiale. Të dhënat e minorenëve nuk lejohen të përpunohen nga inteligjenca artificiale. As të dhënat e të rriturve nuk lejohen të përpunohen nga inteligjenca artificiale, sidomos kur janë nëpër ambiente publike përveçse aeroporteve ose zonave me rëndësi të veçantë. Sepse inteligjenca artificiale mund të bëjë dhe këto që quhen false pozitive që jemi duke lozur ne me shaka dhe ajo e ndez alarmin, lajmëron policinë dhe aty vijnë 10 policë. Teknologjinë e kanë kthyer në Gogol. Teknologjinë e kanë kthyer sikur le të themi është mjeti kryesor që po i nxjerr nga linja nga ana tjetër teknologjinë e përdorin në anë tjetër. Sepse Bashkimi Europian nuk lejon përpunimin e dhënave mbi sjellje të caktuara. Po çështja është kush i akseson këto të dhëna. Ky është problemi. Pra, kush i përdor? Ne e kemi parë në shumë raste këtu që nga prokuroria, që nga të dhënat personale janë abuzuar me të dhënat personale”, tha ai.
Sipas aktivistes, vihet në dyshim efektiviteti i këtyre kamerave, pasi inteligjenca artificiale mund të prodhojë alarme të rreme dhe nuk arrin të interpretojë sjellje komplekse njerëzore, si emocionet apo komunikimin mes nxënësve dhe mësuesve.
“Nëse është për efekt shtim sigurie ne e dimë shumë mirë që alarmet false që mund të vijnë nga qaset se si shikon AI sjelljen e një të riu adoleshent mund të japi alarm fals gjithë kohës edhe ja ku ra poshtë. Pra, e para, cila është arsyeja dhe kjo duhet të ishte transparente. E dyta, sigurisht që duhet të ishin bërë konsultime me grupet e interesit dhe në këtë rast janë prindërit që kanë vendimmarrje për fëmijët, se fëmijët nuk e kuptojnë. Fëmijët sigurisht mund të kenë një lloj qasje për të thënë që ose mund të jetë kull vendosja e kamerave sepse po themi është e IA ose jo. Pse? Sepse disa fëmijë që janë më të informuar mund të thonë është privatësia ime, dua të kem një lloj privatësie në mjetet e shkollës. Por gjithsesi kemi nevojë të kemi një shpjegim dhe sigurisht për mua shpjegimi kryesor është pse ka një numër të tillë diference kamerash nga shkolla në shkollë dhe pika tjetër është më fal për çfarë investimi bëhet fjalë. Pra ky investim që shkon për blerjen e kamerave, për mirëmbajtjen e këtij sistemi, për të gjitha personat që do e shohin, a mos ka rëndësi që po themi kjo vlerë të konvertohet me diçka tjetër e cila është më soft, më njerëzore dhe më në thelb të gjësë për të shuar atë problematikën. Pra se nëse do vendosësh kamerën ke parë një problematikë dhe këtë problematikën si mund t'i qasemi ndryshe?”, tha aktivistja në A2 CNN.
Sipas kritikëve, problemet në shkolla kërkojnë zgjidhje më të thella, si përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, mbështetje psikologjike dhe programe integrimi për nxënësit, ndërsa investimet në teknologji të tilla mund të mos japin rezultatet e pritura.
(A2 Televizion)