
Nga Mentor Kikia
Ndoqa një kronikë përmbledhëse për votimet e ditës së dielë, në 5 bashki. Në të gjitha qendrat e votimit, në disa qytete, ku kishin qenë korespondentët, për të votuar kishte vetëm të moshuar(shkëputa foto nga protagonistët e asaj kronike). Kishte nga ata që u ishin fshirë edhe gjurmët e gishtave e me zor identifikoheshin….
Në këto zgjedhje, kishte një pjesëmarrje dramatiksiht të ulët. Në Vlorë ajo ishte në përmasat e një bojktoi masiv.
Por ajo që ra në sy ishte bojkoti i rinisë. Në një raportim të KQZ-së pjesëmarrjes e grupmoshës nga 18-35 vjeç nuk ishte më shumë se 2-3 %. Në Vlorë, kur kishin votuar 9 %, kjo grupmoshë ishte në nivelin 0.6%.
Në bashkitë e vogla, si Cërriku, Mati, Memaliaj, Laçi, Librazhdi, Tepelena, Rrogozhina etj, rinia ka marrë rrugët me kohë.
Ata që vendosin se kush do të qeverisë janë pikërisht grupmosha mbi 65 vjeç, që sipas KQZ-së përbëjnë edhe numrin më të madh të votuesve të dielën dhe gjithmonë.
Në nivel kombëtar, kjo grupmoshë përbën rreth 50 % të votuesve, dhe që për hir të traditës, ata paraqiten rregullisht në votime.
Padyshim që këta janë shtetas me të drejtë vote, janë prindërit dhe gjyshërit tanë. Ata kanë absolutisht të drejtën e votës si të gjithë.
Por kjo grupmoshë, interesin për jetën e ka të kufizuar në nevojën për ushqim, ilaçe dhe pagesën e dritave. Shumicës këto nevoja ua plotësojnë fëmijët nga emigracioni.
Pjesa tjetër e shoqërisë, ajo më energjikja, ajo ka që ka të tjera nevoja dhe interesa ekonomike, ajo që duhet të ketë tjetër vizion për vendin e saj, ajo që mendon se jeta nuk është vetëm bukë dhe ilaçe, ajo që duhet tia dijë vlerën edhe demokracisë, lirisë së fjalës dhe lirisë së medias, ajo që duhet të ketë forcën dhe vetëdijen për të ngritur zërin dhe për të reaguar, kjo pjesë e shoqërisë ose ka ikur, ose bëhet mënjanë. Hesht! Duke e lënë vendimarrjen në dorën e të moshuarve.
I kujt është faji?
I atyre që ikin?
I atyre që bojktotojë?
Apo i politikës që nuk bind më askënd, veç atyre mendojnë se të votosh është detyrë patriotike? (A2 Televizion)
