Lutfi Dervishi: Hipokrizia sot në funeralin e Fatos Nanos

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 20:22 | Blog

Lutfi Dervishi: Hipokrizia sot në funeralin e Fatos Nanos

Nga Lutfi Dervishi

Hipokrizia...

E vlerësojnë për "kontributin në PS", ndërkohë që PS-ja e sotme ngjan me PS-në e tij aq sa ngjan burgu i Bënçës dje me burgun e Reçit sot, apo saç ngjan trëndafili socialist me tulipanët mavi të Rilindjes.

Ai i shihte zgjedhjet si mjet për të dorëzuar pushtetin ndërsa sot gjithçka bëhet që përmes "zgjedhjeve" të betonizohet pushteti siç betonohen kullat e larta ku asnjë gozhdë në fasadë nuk ngulet pa lejën e administratorit.
Ai preferonte garë brenda partisë, ndërsa sot kutia e votimit në parti i ngjan arkivolit, mbi të cilin shkruhet vetëm një emër.

E çmojnë për ndarjen e pushtetit me aleatët dhe vetë brenda PS - ndërkohë që sot i gjithë pushteti është në dorë të një njeriu dhe brenda partisë ndahen vetëm postimet në Instagram e Facebook!

Ai donte të ishte President, por vetë PS e djeshmja dhe e sotmja i thanë: nuk bëhet! Në (keq)qeverisje gara mbetet e hapur...

Sot fjalët më të sheqerosura dhe më të zjarrta për të, i thanë pikërisht ata që e luftuan, e penguan, e denigruan dhe u denigruan prej tij!

Një gjë është e sigurt: kur vdes, zbulon sa shumë të kanë dashur të gjithë ata që të kanë urryer. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos