Nga Enver Robelli
Në një intervistë të gjatë dhe të botuar në magazinën e gazetës së përjavshme gjermane DIE ZEIT, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e përmend me emër kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por e interpreton arrestimin e tij si dhe arresimet e zyrtarëve të tjerë si sukses të drejtësisë së re në Shqipëri. Rama thotë se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë më 1912, një prokuror i pavarur merr në hetim zyrtarë të lartë. Sipas tij, politika nuk është më mburojë për të korruptuarit. Rama e paraqet këtë si një arritje të madhe të qeverisë së tij dhe një dëshmi që Shqipëria - më në fund - ka ndërtuar një sistem gjyqësor që nuk mbron më politikanët e korruptuar. Rama nuk e mbron personalisht Veliajn, as nuk distancohet qartë, por e përdor rastin për të forcuar narrativën e reformës në drejtësi, që, sipas tij, funksionon mbi baza të reja dhe është e pavarur nga pushteti.
Intervista e DIE ZEIT me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë që nga viti 2013, nis me përshkrimin e një përplasjeje të mëhershme midis gazetarit Stefan Willeke dhe Ramës pas një artikulli kritik të botuar në maj 2024. Rama i kishte telefonuar i revoltuar gazetarit në fjalë dhe më pas e kishte ftuar për një bisedë. Një dëshmi kjo mbi talentin e Ramës për të luajtur rolin e kameleonit. Kjo është një metod¨ë që Rama e ka provuar disa here¨ me gazetarë perëndimorë. Pas artikujve kritikë, ai i kontakton ata, i qorton, indirekt i kërcënon se do të përballen edhe me pasoja juridike, pastaj, kur e vëren se kjo nuk u bë përshtypje gazetarëve, ai e ndërron pllakën e gramafonit, i fton gazetarët në Shqipëri dhe tregohet i gatshëm për të dhënë një intervistë. Kështu është zhvilluar edhe procesi deri te intervista me DIE ZEIT.
Në intervistë Rama flet fllimisht me humor mbi gjatësinë e tij fizike (1.98 m) dhe për të kaluarën si basketbollist profesionist, duke e lidhur këtë me autoritetin që ndonjëherë i atribuohet trupit. Ai beson se më shumë se gjatësia luan rol karizma. Rama kujton tmerrin e fëmijërisë gjatë komunizmit në Shqipëri, kur duke qenë më i gjatë se të tjerët, i binte menjëherë në sy arsimtarëve dhe autoriteteve të tjera. Ai rrëfen për sulmin brutal ndaj tij nga sruktura të shërbimit sekret më 1997, kur ishte ende intelektual kritik ndaj regjimit të Sali Berishës, dhe mënyrën si kjo përvojë e transformoi, edhe fizikisht, por sidomos shpirtërisht.
Rama përshkruan jetën e tij në Shqipërinë e izoluar nën diktaturën e Enver Hoxhës si një realitet me dy botëve paralele: ajo që mund të thuhej vetëm brenda shtëpisë, dhe ajo që duhej thënë vetëm jashtë saj. Në këtë mjedis të represionit ideologjik ai filloi si provokator i talentuar në art dhe në debat.
Rama kujton kthimin e tij në Shqipëri nga Parisi pas vdekjes së të atit, skulptorit Kristaq Rama, dhe pranimin e papritur të postit të ministrit të Kulturës në vitin 1998, pikërisht ditën e varrimit të babait. Ai përshkruan reagimin e nënës së tij që e qortoi ashpër për këtë hap, duke ia kujtuar pasojat që mund të kishte angazhimi politik në Shqipëri. Për Ramën, ky ishte momenti kur “humori i universit” vendosi që një artist të bëhej ministër.
Gjatë intervistës, ai deklaron se nuk kishte menduar kurrë të futej në politikë. Ai e përshkruan veten si një artist që kërkonte lirinë në një regjim që impononte korniza të ngurta edhe në art. Por më pas, ai e sheh politikën si një “art më vete” që kërkon durim dhe talent.
Në raport me personalitetet ndërkombëtare, Rama shpreh vlerësim të madh për Angela Merkelin, të cilën e përshkruan si të vetmen që nuk linte veten të ndikohej nga karizma. Ai beson se po të ishte ajo ende kancelare në vitin 2022, lufta në Ukrainë mund të ishte shmangur. Ndaj Donald Trumpit, ndonëse në fillim kishte qenë kritik, Rama sot shprehet me simpati, duke e quajtur “një shans të madh për Europën”, sidomos në çështjen e paqes me Rusinë. Ai kritikon Perëndimin që nuk e ka marrë seriozisht fjalën “armëpushim”, por nuk sqaron se cilat do të ishin kushtet e këtij armëpushimi.
Rama përmend bashkëpunimin me kryeministren italiane Giorgia Meloni për ngritjen e qendrave të pritjes së azilkërkuesve në Shqipëri. Gjatë një samiti, ai kishte rënë në gjunjë para saj në mënyrë teatrale, një gjest që pasqyron edhe pasionin e tij për vetëinskenim.
Ai flet gjithashtu për projektin e shumëpërfolur me Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trumpit, për ndërtimin e një resorti luksoz në një gadishull dhe ishull të Shqipërisë. Rama thotë se projekti po përparon.
Kryeministri i Shqipërisë reagon ndaj akuzave për lidhje me krimin e organizuar, duke i quajtur “monstruozitete” të prodhuara nga opozita dhe mediat armiqësore. Ai thotë se është akuzuar për gjithçka: nga homoseksualiteti, tek përdhunimi dhe dhuna familjare. Ai mohon gjithçka dhe thotë se “opozita më e fortë” që ka, është gruaja e tij në shtëpi, e cila çdo mbrëmje e bën të japë llogari për gjithçka.
Në çështjen e lirisë së shtypit, Rama ka një marrëdhënie ambivalente me median. Ai deklaron se vlerëson gazetarinë e pavarur, por e kritikon mënyrën si është paraqitur në shtypin vendas. Në raste të caktuara ka përjashtuar gazetarë nga konferencat për shtyp, ndërsa rasti me gazetaren Ambrozia Meta, së cilës i preku fytyrën gjatë një interviste, është cituar gjerësisht si shembull i sjelljes së tij autoritare. Gazetarja e akuzon Ramën për ndërtimin e një “diktature ekonomike” dhe për përçmim ndaj të varfërve. Gazetarja Meta thotë se Edi Rama “shpërndan leje ndërtimi te njerëz të besuar të kriminelëve. Ai nuk vepron si një socialist, edhe pse është kryetar i partisë së tyre. Ai nuk bën asgjë për të varfrit dhe të moshuarit. Më së shumti ai përpiqet të sigurojë vendin e tij në librat e historisë - si babai i kombit”.
Nga ana tjetër, Rama thekson reformën në drejtësi si një arritje të madhe të qeverisjes së tij. Ai thotë se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, drejtësia po trajton zyrtarët e lartë në mënyrë të pavarur. Ai thekson se partia e tij nuk është më “mburojë” për të korruptuarit.
Megjithatë, kritikët janë të shumtë dhe të ashpër. Enton Abilekaj, gazetar i njohur, e akuzon Ramën se ka nisur bashkëpunimin me krimin e organizuar që me legalizimin e kultivimit të kanabisit. Sipas tij, kriminelët i sigurojnë atij mbështetje politike. Gazetari Andi Bushati nga platforma e pavarur Lapsi thotë se bilanci i Ramës është negativ dhe se suksesi i tij diplomatik është një fasadë për të legjitimuar autokracinë e tij. Fatos Lubonja, ish-i burgosur politik dhe mik i dikurshëm i Ramës, e quan atë “narcist” dhe e krahason me Vlladimir Putinin, duke shtuar se Rama kontrollon gjithçka dhe nuk pranon kritikë. Sipas tij, problemi më i madh janë vetë shqiptarët që e lejojnë një njeri të tillë të qeverisë.
Rama përgjigjet se Lubonja është i zhgënjyer sepse ai vetë kaloi nga shoqëria civile në pushtet dhe u shpall “tradhtar i kauzës”. Për të, politika është një mekanizëm që kërkon menaxhim, jo vetëm pasion. Rama nuk pranon të flasë për gabimet e tij të mëdha si kryeministër, duke thënë se do ta bëjë këtë vetëm pas largimit nga posti.
Për Ramën, pushteti është një “bishë e egër” që të deformon nëse nuk kujdesesh. Ai thotë se përpiqet të ruajë kontaktin me realitetin duke pretenduar se nuk fluturon me klasë biznes, gruaja e tij vozit makinën e vetë, nuk ka shërbëtorë të paguar nga shteti në shtëpi. Ndërkohë, në mbrëmje, thotë ai, “opozita më e ashpër” që njeh është ajo që e pret në shtëpi – gruaja e tij, ekonomiste dhe kritike e palodhur, e cila, sipas tij, e mban me këmbë në tokë.
Jo vetëm në këtë pjesë të intervistës, gazetarë të tjerë, për shembull vendorë dhe të pavarur, do të kishin edhe disa pyetje për Edi Ramën - pyejte të cilat do të ishin mjaft të pakëndshme. Kësisoj, intervista në DIE ZEIT është një përpjekje e tij për t’u dukur politikan nonshalant, i shkathtë në vendime dhe i talentuar në ruajtjen e imazhit të tij si politikan që nuk është i përzier në asnjë aferë, ndërkohë që dhjetëra bashkëpunëtorë të tij janë nën hetime apo në burg.
Ekskluzivisht për A2 CNN, ndalohet rreptësisht ribotimi në mediat e tjera pa autorizimin nga A2 CNN. (A2 Televizion)