Nga Rudina Hajdari
Ka momente në jetë kur kupton se rrugët që ke ndjekur nuk kanë qenë rastësi. Se disa takime, disa zgjedhje dhe disa zbulime janë pjesë e një rendi më të thellë, që lidh të shkuarën me të tashmen dhe të japin një ndjesi drejtimi.
Rrugëtimi im më çoi, pa e ditur, drejt një historie që kishte filluar shumë kohë përpara meje.
Kur fillova të punoja në zyrën e Eliot Engel në vitin 2013, nuk e dija se ai dhe babai im, Azem Hajdari, ishin takuar më parë në Uashington në vitin 1998. Nuk e dija që historitë e tyre ishin kryqëzuar dhe se fati do të më vendoste pikërisht aty, pranë një njeriu që babai im kishte takuar pak kohë para se të vritej.
E zbulova rastësisht. Një ditë, ndërsa punoja aty, vendosa t’ia përmendja Kongresmenit Engel. I thashë se ekzistonte një foto e tyre, gati 20 vite më parë, dhe, me një buzëqeshje, shtova se dukej më i ri. Ai ma ktheu me humor: “Më i ri?” Ndoshta nuk e kujtonte plotësisht atë takim, por për mua ishte një moment me një peshë të rëndësishme.
Dy botë që i kisha menduar të ndara u bashkuan në një çast të vetëm. Më dhanë një ndjesi drejtimi, sikur çdo hap më kishte sjellë, pa e kuptuar, pikërisht aty ku duhej të isha.
Eliot Engel punoi pa u lodhur për çështjen e Kosovës. Ai e adhuronte atë vend dhe e mbështeti vazhdimisht popullin tonë kudo që ai ndodhej. Ndaj, kur ai nderoi figurën e Azem Hajdarit me një akt zyrtar në Kongresin Amerikan, për mua ishte një jehonë përtej kufijve dhe padyshim një lartësim i jashtëzakonshëm. Më 12 shtator 2013, Kongresmeni Engel foli për babain tim në Kongresin Amerikan, duke e quajtur një kampion të vlerave demokratike dhe një hero për shqiptarët.
Por ai nuk ndaloi me kaq. Në vitin 2016, erdhi në Shqipëri dhe qëndroi përpara memorialit, vendosi lule dhe foli me një respekt që shkonte përtej detyrës politike. Ai u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të frymëzoheshin nga figura e tij për të bërë ndryshimin e duhur në vendin e tyre.
Hera e fundit ishte ajo e vitit 2021, në Tropojë, kur gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, ai ndaloi edhe te busti i Azem Hajdarit në Bajram Curri, ku inaugurohej dhe rruga përfundimtare që do t’i lidhte bashkë përjetësisht. Në Valbonë, rruga kryesore mban emrin Azem Hajdari. Ajo lidhet me një tjetër rrugë që mban emrin e Kongresmenit Engel, e cila lidh Shqipërinë me Kosovën.
Për mua, kjo nuk është thjesht një rastësi gjeografike. Është një vazhdimësi simbolike, një lidhje shpirtërore mes sakrificës dhe mbështetjes, mes atyre që luftuan për liri nga brenda dhe atyre që e mbështetën atë nga jashtë. Një rrugëtim që filloi me përpjekje dhe sakrificë dhe që sot vazhdon si një vizion, si lidhje dhe si drejtim për të ardhmen. Jam thellësisht mirënjohëse që e njoha këtë njeri të jashtëzakonshëm.
Faleminderit për gjithçka!
Pushofsh në paqe, Kongresmeni Engel! (A2 Televizion)