Presidenti amerikan Donald Trump dhe Papa Leoni janë përfshirë në një përplasje të rrallë, për shkak të qëndrimit të kreut të Selisë së Shenjtë lidhur me luftën në Iran. Donald Trump e akuzoi Papën se ishte “I DOBËT ndaj krimit dhe i tmerrshëm për politikën e jashtme” në një postim në Truth Social, dhe më pas u tha gazetarëve se “nuk ishte ndonjë fans i madh” i tij.
Po nuk është mjaftuar me kaq. Më vonë Trump ka postuar një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale të vetes, ku shfaqet si Jezu Krishti, teksa shëron të sëmurët. Gjatë një prononcimi për gazetarët, teksa udhëtonte për në Algjeri, Papa Leoni tha se nuk ka frikë nga administrata Trump dhe se do të vazhdojë të flasë kundër luftës. Papa deklaroi se nuk dëshironte të hynte në një debat me Trump. “Unë nuk jam politikan. Mesazhi është i njëjtë: të promovojmë paqen.”, pohoi ai.
Të shtunën, ndërsa negociatorët iranianë dhe amerikanë u takuan në Pakistan për bisedime për t’i dhënë fund luftës, Kreu i Selisë së Shenjtë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalë “çmendurinë e luftës”. Ai gjithashtu dënoi përdorimin e gjuhës së krishterë për të justifikuar luftën. Kjo nxiti reagimin e ashpër të Trump. Në përgjithësi, është e rrallë për një Papë ti përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë deklaratave të udhëheqësve botërorë. (A2 Televizion)