Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog
Protesta tërësisht e arsyeshme e studentëve shqiptarë duket se ka hyrë në një qorrsokak, ngase elitat politike shqiptare atje kanë hyrë në “transaksione” hibride politike me qeverinë nacionaliste të sllavomaqedonasve. Ajo që është shqetësuese në këtë rirebelim qytetar, që u “ndez” nga studentët e vetëdijësuar për rëndësinë e të ardhmes së tyre në këtë shtet, i cili ka probleme identitare (komb artificial) dhe shtetërore (shtet i papërfunduar), ka të bëjë me mosrespektimin e së drejtës elementare për gjuhën, e cila është e garantuar me të gjitha normat dhe ligjet evropiane. Dhe kur është fjala te respektimi, e sidomos zbatimi i kësaj të drejte elementare, të garantuar edhe me Kushtetutën aktuale sllavomaqedonase, është interesante që politikanët shqiptarë, për të ruajtur kolltuqet e tyre (lexo: pushtetin dhe privilegjet), të drejtat shqiptare i kanë vënë në “Shtratin e Prokrustit” sllavomaqedonas.
Tema e së drejtës për dhënien e provimeve në gjuhën shqipe, përveç interpretimeve politike, ka edhe dimensionet e saj sociologjike, të cilat në një analizë ad hoc mund të përmblidhen në disa nivele të ndërthurura: identitare, institucionale dhe politike.
E para; niveli apo dimensioni identitar, ku kategoria e gjuhës, si një kapital fundamental simbolik i identitetit kombëtar, nuk projektohet thjesht si mjet komunikimi në përditshmërinë sociale, atë politike e kulturore të një etnie, por edhe si një formë apo model identifikues që ushtron rolin e “kapitalit simbolik”. Kështu që kërkesat për provim final të bachelorit apo masterit në shqip nuk mund të jenë vetëm çështje praktike që u shërbejnë shqiptarëve për folklorizëm, por janë shprehje e një nevoje elementare për njohje dhe legjitimitet kulturor të shqiptarëve, të cilët në këto troje nuk janë apatridë, por banorë autoktonë prej antikitetit.
Së këndejmi, bunti i studentëve, në njëfarë mënyre, është edhe një mesazh shumë i qartë dhe tejet dinjitoz që artikulon një rezistencë aktive ndaj procesit të asimilimit në një shtet që de facto është multietnik, ndërkaq vetëm de jure e ka shpallur veten si shtet “…i popullit maqedonas, si dhe qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të saj si bashkësi etnike…”. Është më se evidente se Preambulla sllavomaqedonase, ashtu siç figuron, bën një ndarje diskriminuese, por edhe një model hibrid semantik. Ngase, në njërën anë thotë se Maqedonia e Veriut është shtet i “popullit maqedonas” (si subjekt kryesor shtetformues), ndërkaq në anën tjetër i identifikon “bashkësitë e tjera etnike” si “pjesë e popullit”…?!
E dyta; niveli apo dimensioni i “politikës së (ri)njohjes”, që ka të bëjë kryesisht me identitetet etnike të margjinalizuara, të cilat për shkak të diskriminimit apo injorimit kërkojnë me ngulm jo vetëm të drejta formale ligjore e kushtetuese, por edhe pranim, trajtim e respekt të barabartë si në jetën politike, ashtu edhe në atë sociale e kulturore, me të gjitha etnitë e tjera brenda një territori apo shteti të caktuar në praktikë. Dhe kur evidentohen rastet e mohimit apo bullizimit të këtyre të drejtave fundamentale, siç është rasti me kufizimin e së drejtës për të dhënë provime në gjuhën amtare, sikurse po ndodh me studentët shqiptarë, atëherë rebelimi dhe shprehja e pakënaqësisë kolektive shndërrohet në një akt, por edhe në një të drejtë sublime që domosdoshmërisht duhet të prodhojë reagim zinxhiror kolektiv… gjë që në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka ndodhur me intensitetin e duhur.
E treta; niveli apo dimensioni i konfliktit strukturor social, që manifestohet si reagim spontan, sidomos ndaj pabarazive të thelluara dhe dukurisë së shpërndarjes asimetrike të pushteteve dhe burimeve që reflektojnë shtetin e së drejtës. Korpuse këto që u adresohen sidomos institucioneve edukativo-arsimore, sikurse janë shkollat dhe universitetet. Në këtë kontekst duhen parë edhe kërkesat e studentëve shqiptarë, të cilët e gëzojnë të drejtën absolute të demonstrojnë si pakënaqësi për pabarazinë evidente, ashtu edhe ambicie e synime për një rishpërndarje të re të të drejtave që i kanë sllavomaqedonasit brenda sistemit arsimor.
Themi kështu gjithnjë duke u bazuar në Preambulën e lartcekur të Kushtetutës aktuale, e cila për mendimin tim është bërë një “këmishë tejet e ngushtë” për shkallën e emancipimit kulturor të shqiptarëve atje. Dhe në rast se këto kërkesa legjitime neglizhohen edhe më tej, si nga subjektet politike shqiptare, ashtu edhe nga ato sllavomaqedonase që mbajnë përgjegjësi historike për mbijetimin e shtetësisë “multietnike” të dhuruar për shkak të gjeopolitikës së rendit të vjetër, atëherë nuk duhet harruar se rendi i ri që po ndërtohet, me gjithë arkitekturën e kësaj krijese centaur, mund ta vërë nën “shpatën e Demokleut” të kaosit global që po zhvillohet sot… (A2 Televizion)