Kosova rrezikon të futet në një proces të ri zgjedhor vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 28 dhjetor. Një palë zgjedhje të reja sjellin edhe kosto shtesë për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Gjatë vitit të kaluar, Kosova pati tri procese dhe katër ditë zgjedhjesh që i kushtuan rreth 22 milionë euro.
“Shuma e mjeteve të planifikuara për organizimin e të gjitha proceseve zgjedhore gjatë vitit 2025, pra këtu përfshihen dy palë zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të 9 shkurtit dhe të 28 dhjetorit, si dhe zgjedhjet lokale të 12 tetorit, përfshirë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 9 nëntor, ka qenë në vlerën e mbi 30 milionë eurove. Sipas raporteve të deritashme, nga kjo shumë e përgjithshme janë shpenzuar rreth 22 milionë euro”, tha Valmir Elezi, KQZ.
Vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit ishin paraparë 11.5 milionë euro, por KQZ shpenzoi 7 milionë. Po aq parashihen të kushtojnë edhe zgjedhjet e mundshme të reja, në rast se partitë nuk arrijnë të zgjedhin presidentin e ri.
“Viti 2026 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në buxhetin e KQZ-së, sipas ligjit për buxhetin gjatë këtij viti, nuk ka mjete të planifikuara për organizimin e një procesi të mundshëm zgjedhor në këtë rast të parakohshëm”, tha Elezi.
Nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor, një nga çështjet e para që KQZ duhet të trajtojë është planifikimi buxhetor për organizimin e tij.
“Edhe në rast të një procesi të ri zgjedhor, pra gjithmonë po flasim nëse do të ketë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përgatit planifikimin buxhetor dhe, siç ka vepruar edhe në të kaluarën, do të veprojë edhe tani, pra do ta përcjellë atë për miratim në Qeverinë e Kosovës”, tha Elezi.
Parlamenti i Kosovës ka kohë deri më 28 prill të zgjedhë presidentin e ri; ndryshe, do të shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen më 31 maj ose 7 qershor. (A2 Televizion)