Nga Enver Robelli
Tashmë shtatë muaj Serbia është në gjendje të jashtëzakonshme. Mijëra qytetarë anekënd vendit po protestojnë kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq. Kjo lëvizje po udhëhiqet nga studentët, të cilët për herë të parë prej vitesh kanë arritur të dridhin seriozisht themelet e pushtetit.
Shkas për demonstratat masive u bë rrëzimi në fillim të nëntorit i një pjese të pullazit të stacionit të trenit në qytetin e Novi Sadit, i cili ua mori jetën 16 njerëzve të pafajshëm. Për shumë qytetarë të Serbisë nuk ka asnjë dilemë se kjo tragjedi do të ishte shmangur sikur të mos kishte korrupsion dhe sikur të funksiononin instancat e kontrollit, me një fjalë: sikur Serbia të ishte shtet me demokraci e drejtësi funksionale.
Pas shumë protestave, të cilat arritën kulmin në mes të marsit kur në Beograd u tubuan rreth 300 mijë njerëz, lëvizja studentore, më në fund, në fillim të majit kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja. Deri atëherë studentët nuk jepnin shenja se duan të marrin pjesë në garën politike, po ashtu ata nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me asnjë parti të opozitës së përçarë.
Ndërsa universitetet publike mbesin të bllokuara, intensiteti i protestave ka rënë dukshëm. Befas presidenti Vuçiq e ndien veten në një pozitë më të fuqishme. Në të kaluarën ai shpesh ka deklaruar se është në çdo kohë i gatshëm të shpallë zgjedhje të reja, sepse nuk ia ka frikën asnjë konkurrenti politik. Që nga viti 2012 kur partia e Vucicit SNS erdhi në pushtet, 4 herë janë mbajtur zgjedhje të parakohshme - domethënë sa herë që anketat tregonin se fitorja është e sigurt.
Tani Vuçiq kundërshton një mundësi të tillë. Dhe për këtë duket se ka arsye. Përkrahja për të dhe partinë e tij ka rënë dukshëm, këtë e sugjerojnë anketat. Qëllimi i tij tani është që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen tek në fund të vitit 2027, kur është edhe termini i rregullt. Ai shpreson se deri atëherë protestat do të humbin hovin dhe lëvizja studentore do të përçahet. Nëse demonstratat nuk zgjerohen, Vuçiq, një kryemjeshtër i kontrollit të pushtetit, mund t’ia dalë qëllimit të tij. Edhe pak javë fillojnë pushimet verore dhe gatishmëria e njerëzve do të jetë më e madhe për të shkuar në plazh se sa për të dalë në rrugë.
Njëkohësisht regjimi po përpiqet të ashpërsojë represionin kundër universiteve publike, të cilat janë vatër e rezistencës. Tashmë është paralajmëruar një ligj i ri për arsimin e lartë, i cili parasheh që nga financat publike të përfitojnë edhe universitetet private. Vucic ka paralajmëruar hapur “shembjen e monopolit të fakulteteve shtetërore”.
Studentët dhe profesorët po e shohin këtë si goditje të rëndë ndaj sektorit arsimor. Universitetet private të financuara nga shteti mund të dirigjohen më lehtë. Në krye të grupit punues për ligjin e ri është ministri i ri i arsimit Dejan Vuk Stankoviq, i cili nga studentet është akuzuar për ngacmim seksual. Stankoviq i hedh poshtë akuzat. Në shënjestër të autoriteteve është vënë sidomos rektori i guximshëm i universitetit të Beogradit Vladan Gjokiq, i cili është marrë në pyetje nga policia.
Së fundi Vuçiq i quajti heronj katër mbështetës të partisë së tij, të cilët gjenden në paraburgim pasi në fillim të vitit rrahën brutalisht disa studentë. Ai mbështeti edhe thirrjet për bllokimin e një gjykate në Novi Sad për t’i nxjerrë me shantazh nga burgu huliganët e tij. Revista e pavarur “Vreme” e përmblodhi sjelljen e Vuçiqit me këtë titull: “Çmenduri në Serbi: Qeveria kërcënon me bllokimin e drejtësisë”.
Kur para disa ditësh një gjykatë e apelit vendosi që tre aktivistë të cilët mbaheshin qe disa muaj në burg të transferohen në arrest shtëpiak, presidenti u kyç me telefon në televizionin propagandistik “Informer” me një tiradë kërcënimesh. Ai tha se në të ardhmen nuk do të kenë më vend në sistemin e drejtësisë për ata gjyqtarë e prokurorë që “me hapa kriminalë” përkrahin “banditizmin dhe huliganizmin”. Për Vuçiqin aktivistët janë “terroristë”.
Këtë javë Vuçiq iu drejtua opinionit me një videomesazh: ai shihej në zyrën e tij duke ngrënë me modesi sardele. Presidenti serb tha se ka qenë i shqetësuar në javët e fundit, por tani i është kthyer “energjia e çuditshme”. (A2 Televizion)