Nga Enver Robelli
Një kandidat liberal do të jetë president i Rumanisë. Por demokracisë në Rumani i kërcënohet ende rreziku. Dhe arsyeja është kjo: korrupsioni shumëvjeçar i klasës politike. Një shembull frikësues edhe për vende të tjera.
Gjatë fundjavës janë mbajtur tri palë zgjedhje në tri vende evropiane. Në Portugali Aleanca Demokratike, një parti e djathtë konservatore, doli e para, por nuk siguroi shumicën absolute. Kryeministri i deritanishëm, Luis Montenegro, deklaroi se nuk do të qeverisë me partinë e ekstremit të djathtë Chega (Shega), përkrahja për të cilën vazhdon të rritet në Portugali. Kjo u pa edhe të dielën. Si më tutje? Brenda tre vjetëve Portugalia ka mbajtur tri palë zgjedhje. Sipas kryeministrit Montenegro, e imagjinueshme është një qeveri e pakicës, e cila durohet nga partitë e tjera parlamentare. Në vendet me kulturë politike dhe demokratike – dhe Portugalia është vend i tillë - politikanët gjejnë zgjidhje, nuk e lënë vendin pa qeveri legjitime (si në Kosovë, për shembull).
Në Poloni u mbajtën zgjedhjet presidenciale. 13 kandidatë aspiruan postin e presidentit, asnjëri nuk siguroi shumicën. Në raundin e dytë më 1 qershor do të dihet kush do të bëhet president: kryetari i Varshavës, i cili përkrahet nga qeveria liberale apo një kandidat i pavarur, i cili mbështetet nga partia ultrakonservatore PIS. Aktualisht kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski, është në epërsi të lehtë.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani shumicën e votave e fitoi Nicusor Dan, një kandidat jopartiak dhe kryetar i Bukureshtit, kryeqytetit të Rumanisë. Dan, matematikan me profesion, politikan liberal dhe pragmatik, përkrahës i Ukrainës dhe bartës i politikave të BE-së, fitoi 54 për qind të votave, rivali i tij nga e djathta radikale dhe pjesërisht proruse George Simion mori 46 për qind. Sipas radios publike gjermane “çelësi i suksesit (për kandidatin Dan) ishte rritja e jashtëzakonshme e pjesëmarrjes në zgjedhje. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ajo ishte vetëm 53 për qind. Në balotazh arriti në 65 për qind. Me sa duket, shumë prej atyre që nuk kishin votuar më parë u motivuan pasi panë se Simion kishte marrë rezultatin më të mirë në raundin e parë, me një diferencë të madhe. Pikërisht këta votues shtesë e penguan zgjedhjen e një presidenti të djathtë radikal në Rumani”.
Nga këndvështrimi kosovar me rëndësi është të nënvizohet se në të tri vendet e lartpërmendura votat u numëruan brenda pak orësh. Polonia i ka gati 37 milionë banorë, Rumania gati 20, Portugalia gati 11. Drama kosovare e numërimit të votave pas zgjedhjeve të fundit është treguese e menaxhimit të mangët të procesit elektoral.
Edhe një aspekt tjetër është me rëndësi te shembulli i Rumanisë. Demokracia është në rrezik sa herë që klasa politike e përbërë nga partitë e etabluara dhe të njohura me etiketa asgjëthënëse si “socialdemokrate” dhe “konservatore” keqpërdor pushtetin, zhytet në korrupsion, politizon drejtësinë, instrumentalizon shërbimet sekrete dhe i toleron ato të sillen si shtet brenda shtetit në betejën për kontroll të pushtetit, fondeve, resurseve. Kjo ka ndodhur në Rumani.
Një ditë populli e humb krejt besimin në partitë e etabluara dhe i beson një populisti të djathtë me simpati për teori konspiracioni, i cili kërkon që Perëndimi t’ia ndalë ndihmat Ukrainës dhe e lavdëron Vladimir Putinin. Fshatarët rumunë thonë: as që e kemi ditur se për kë po votojmë, me rëndësi: një votë kundër partive që e kanë vjedhur Rumaninë. Kjo ndodhi në nëntor të vitit të kaluar. Skena politike rumune u trondit. Brukseli u alarmua.
Pastaj drejtësia rumune i anuloi zgjedhjet presidenciale - mes tjerash për shkak të, siç u tha, rolit të Rusisë në fushatën elektorale. Përsëritja e zgjedhjeve u caktua për datën 4 maj. Populistit Călin Georgescu, i cili doli i parë në zgjedhjet e nëntorit, iu ndalua kandidimi. Në vend të tij hyri në garë George Simion. Edhe ky populist. Edhe ky doli i pari në raundin e parë. Votuesit sërish nuk u besuan partive të etabluara dhe kandidatëve të tyre. I besuan populistit George Simion.
Një politolog rumun i tha një gazete zvicerane: “Jemi shoqëri orale, shoqëri joletrare. Numri i lexuesve të gazetave është i ngjashëm me vitin 1915, një vazhdimësi e habitshme”. Njëkohësisht Rumania është vendi me depërtimin më të thellë të TikTokut në Evropë. Kjo është fatale: nëse në vitin 2025 në një vend lexojnë informata cilësore po aq njerëz sa më 1915, atëherë fati i një shoqërie bie pre e algoritmeve të TikTokut dhe “mjeshtërve” të paskrupullt për gjenerim klikimesh.
Çka na tregon ky zhvillim, çka na paralajmëron? Nëse një klasë politike plaçkit në vazhdimësi vendin dhe nëse zgjedhësit nuk shohin dallim mes partive, nëse kompeticioni i vetëm është kompeticioni i korrupsionit, atëherë një ditë zgjedhësit bëhen (i)racionalë dhe përkrahin eksperimente politike, për shembull duke ua besuar fatin e vendit politikanëve që nuk kanë haber për politikë, por talent kriminal për të manipuluar dhe premtuar zgjidhje të shpejta. Kush merret me politikë, me Res publica, pra me punët publike, duhet të ketë parasysh sidomos një gjë: kredibilitetin. Humbet lehtë, fitohet vështirë. Veçanërisht kur elita korruptohet dhe në konkurrencë hyn antielita e recetave të thjeshta.
Rumania shpëtoi edhe një herë, falë mobilizimit qytetar. Por demokracisë në Rumani i kërcënohet ende rreziku. Dhe, duhet përsëritur, arsyeja është kjo: korrupsioni shumëvjeçar i klasës politike. Një shembull frikësues edhe për vende të tjera. (A2 Televizion)