Nga Afrim Krasniqi
Bota nuk është më e njëjtë. As për ne. Tirana është stacioni i liderëve të Komuniteti Politik Europian (KPE). Lajm i mirë për ne, por de facto pa lidhje me ne. Janë 42 drejtues vendesh, pa SHBA. Temë kryesore janë siguria e përbashkët, lufta dhe emigracioni. Foto ilustruese i thotë të gjitha: liderit kryesorë të vendeve të BE nga Tirana zhvillojnë telefonatë me presidentin e SHBA. Të njëjtët ishin në Kiev disa ditë më parë.
⁉️ Lufta dhe paqja? Ende nuk ka shenja kompromisi dhe fundi. Përpjekjet për ndërmjetësim nuk dhanë rezultat, lufta vijon ndërsa bota mbetet gjithnjë e më e pasigurt.
⁉️ Raportet SHBA-BE? Partnerë apo rivalë? Ende nuk ka shenja të qarta dialogu dhe dakordësie për sfidat dhe angazhimet.
⁉️ Bashkimi Europian? Paqartësi dhe krizë identiteti. Ende nuk një përgjigje për reformën e brendshme të kërkuar nga dy shtetet kryesore.
⁉️ NATO dhe siguria? Ende nuk ka një strategji të qartë mbi fuqitë e nevojshme dhe kërcënimet e mundshme.
⁉️ Ballkani Perëndimor? Ende nuk ka strategji dhe as premtime si samiti i 2003, rivalitetet e vjetra rikthehen dhe thuajse të gjitha vendet janë në kriza politike.
⁉️ Komuniteti Europian? Një formulë që fiton kohë, por de facto vetëm sa vonon reformën brenda BE dhe bashkë me të edhe procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
⁉️ Ofertë për stabilitokraci? Ende e pamjaftueshme dhe jo efikase në mungesë të një demokracia funksionale.
Lexoni 5 minuta mediat kryesore ndërkombëtare. Kudo flitet për sigurinë, luftën, krizat, emigracionin, kostot e demokracisë. Secila media flet për interesat strategjike të vendit të vet, ofron informacione dhe analizon situatat, natyrisht duke sugjeruar dhe komentuar mundësitë, kapacitetet dhe sfidat.
Në Shqipëri?
Lajmi 1: Ulja në gjunjë për Melonin.
Lajmi 2. Opozita po bën një protestë.
Lajmi 3. Batuta e kryeministrit për drekën dhe Kanunin.
Lajmi 4. Shi, buzëqeshje dhe përqafime.
Lajmi 5. Çuditet kancelari për 4 mandatet.
Lajmi 6. Video e liderëve – fëmijë me AI.
Lajmi 7. Ja dhuratat për delegacionet.
Lajmi 8. Ja çfarë shkruhej në atletet e kryeministrit.
Lajmi 9. Ja dhuratat për delegacionet.
Lajmi 10. Ja rrugët që bllokohen.
Asnjë për thelbin e Samitit, asgjë për sfidat e Shqipërisë në situatën e re, asgjë për risqet e sigurisë në rajon, asgjë për reformat dhe prioritetet e vendit. Asnjë ministër (as MPJ) asgjë për publikun, asnjë institucion asgjë për detyrimet dhe përgjegjësitë që kemi, asnjë zyrtar e politikan asgjë për hendekun midis krizave që prodhojmë dhe listës së gjatë të detyrave të pabëra.
Votimet i bëmë, njëra palë shijon mbipushtetin falë sistemit informal që drejton, pala tjetër shijon kontrollin e opozitës falë bunkerit që ka ndërtuar. Problemet tona? Le t’i zgjidhë Brukseli. Një Shqipëri politike, sociale, mediatike dhe publike shumë larg nevojave, sfidave dhe prioriteteve që ka vendi.
Bota po ndryshon. Ne jo. Ne qeverisim bota na ndihmon? Ne e kemi zgjidhjen, ne kemi liderit e përjetshëm. Kaq na mjafton. (A2 Televizion)