Enver Robelli: Për islamistët shqiptarë, që gjejnë “heronj” pas çdo sulmi terrorist të islamistëve

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 17:28 | Blog

Enver Robelli: Për islamistët shqiptarë, që gjejnë

Nga Enver Robelli

Njëra nga metodat më perverse të islamistëve të nahijes shqiptare është kur, pas një sulmi terrorist të islamistëve, përpiqen të mbitheksojnë faktin se atentatorin e pengoi një mysliman. Kësisoj zhvendoset vëmendja nga problemi i vërtetë.

E ai problem është: pse ka aq të çmendur në këtë botë që “në emër të islamit” vrasin njerëz të pafajshëm? Që mes myslimanëve ka shumë njerëz të ndershëm që kundërshtojnë terroristët, është e vetëkuptueshme.

Por fatale, makabre, bizare dhe e tmerrshme është dhe vazhdon të jetë gatishmëria e militantëve fetarë për të vrarë njerëz, si në Sydney të Australisë.

Këto ditë policia gjermane arrestoi pesë persona me sfond islamist, të cilët dyshohen se po përgatisnin një sulm terrorist ndaj një tregu të Krishtlindjeve në landin e Bavarisë.

Bëhet fjalë për një egjiptian, një sirian dhe tre marokenë. Para një viti, më 20 dhjetor 2024, një person nga Arabia Saudite sulmoi tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg.

Me atë rast u vranë 6 njerëz dhe më shumë se 300 u lënduan, pjesërisht rëndë. Procesi gjyqësor kundër atentatorit ka filluar në nëntor.

Edhe për këtë kriminel islamistët që flasin shqip do të gjejnë arsyetime, duke thënë se është i çmendur.

Pse çka tjetër duhet të jetë dikush që vret njerëz të pafajshëm? Pyetja thelbësore është kjo: pse aq shumë të çmendur po i referohen islamit? Ikin nga shtetet e tyre diktatoriale, strehohen në Perëndim, jetojnë shpesh nga ndihmat sociale dhe, pas një kohe, bëjnë plane për të vrarë dhe vrasin njerëz të pafajshëm.

Kudo që shkon tani në qytete të mëdha në Perëndim, tregjet e Krishtlindjeve janë të mbrojtura me barriera të larta betoni, në mënyrë që idiotët gjakpirës të mos futen aty me veturë për të vrarë njerëz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos