“Situatë e tmerrshme”, përmbyten 70 mijë çadra ku strehohen banorët e zhvendosur në Gaza

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2026, 19:10 | Bota

“Situatë e tmerrshme”, përmbyten 70 mijë çadra

Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur dhjetëra mijëra çadra ku jetojnë banorët e zhvendosur në Rripin e Gazës. Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara deklaroi se pothuajse të gjithë banorët e territorit kanë nevojë për ndihmë.

Banorët janë detyruar të kova për të larguar ujin që ka vërshuar çadrat e tyre, ndërsa disa prej tyre thonë se kanë mbetur pa asnjë strehë.

Jonathan Veitch, përfaqësuesi i UNICEF-it për Palestinën, tha se situata “e dëshpëruar” po përkeqësohet edhe më shumë për shkak të kufizimeve izraelite për hyrjen e makinerive të rënda dhe furnizimeve të nevojshme, si vaji i motorëve.

Rreth 90% e banorëve të Gazës janë zhvendosur nga lufta e Izraelit kundër Hamasit, shumë prej tyre disa herë. Ata kanë gjithashtu akses të kufizuar në ujë të pijshëm dhe shërbime sanitare.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se situata pritet të përkeqësohet me nisjen e sezonit të reshjeve.

Duke folur për BBC-në nga Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, Veitch e përshkroi situatën si të tmerrshme.

“Është thjesht e tmerrshme dhe njerëzit janë në dëshpërim të plotë. Ne po ofrojmë të gjithë ndihmën që mundemi, por edhe ndërsa jemi duke udhëtuar me makinë, njerëzit na ndalojnë në rrugë dhe na përgjërohen që t'i ndihmojmë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, qeveria e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, bëri të ditur se rreth 70 mijë çadra janë përmbytur. Një zëdhënës deklaroi se “shembja e dhjetëra mureve dhe çative të çara” ka shkaktuar edhe të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos