
Nga Mentor Kikia
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 Majit 2025, hasa në nja dy dalje publike një prej të rinjve në PD, Ted Kopliku. Nje djalë shumë i artikuluar dhe i qartë në atë që mendonte e thoshte. Lexova sot se ishte zgjedhur të drejtonte Departamentin e “Brain Gain” në PD. Në të njëjtën kohë, kryetari i PD, Z.Berisha, në një konferencë për mediat, deklaronte:
“Tani, kjo Lubia, ka administruar këto vite një buxhet prej 12 miliard Euro. Unë jam i sigurtë se nga këto, 10 miliard i ka vjedhur ajo…. Edhe ato që thotë se i bëri presion këtij dhe atij, është skema e Veliajt. Ju kujtohet, i çoi punonjësit të gjithë, e rrethuan Skapin. U kujtohet fjalimi, empatia që tregoi ai për djalin e Erionit, që nuk kishte kush ku ta çonte këtu e aty…
Tani, një kryetar partie 16 vjet në opozitë, në vend që të merret me organizimin e partisë për zgjedhjet e radhës, del çdo ditë tek podiumi e bën nga këto thashethemet, zbërthen teoritë konspirative të Ramës dhe sheh filxhanin si plakat. “Si do ta flaki Rama Lubinë, si do gjejë ca fustane si Velinajca, si do i thotë Dumanit, fute brenda por të mos tregojë shokët…”
Pata një debat me një drejtues në PD, i cili tha se duhet bërë si në Nepal, kur i thashë që në Shqipëri nuk mund të ketë protesta të “Gjeneratës Z”, për të rrëzuar qeverinë, kur pas derës pret “Gjenerata ZH” për të ardhur në pushtet
-Çtë duhet ty(juve që jeni jashtë PD-së dmth) se kë zgjedhim ne kryetar? – më tha ai.
-Epo, derisa ai kryetari është kandidat për kryeministër dhe, derisa PD është partia me e mundëshme për të marrë pushtetin, patjetër që na duhet.
Tani, unë mendoj se Berisha as duhet dhe, mbi të gjitha, as mundet të rikthehet në pushtet, edhe sikur vetë ti bëjë zgjedhjet. Berisha pret që ndryshimin politik ta bëjë prokuroria, me pranga. Por prangat dhe burgosjet deri tani kanë bërë të kundërtën. Rama është bërë më i fuqishëm dhe demokracia është rrënuar më shumë. Mazhoranca të tilla rrëzohen me votë revolte. Dhe arsye për tu revoltuar ka plot. Por duket se nuk ka alternativë për të besuar. PD e tund raportin e OSBE-së si alibi. Por Shqipërisë dhe shqiptarëve kjo nuk i mjafton. PD refuzon të kërkojë pjesën e saj të përgjegjësisë për 11 majin dhe shumëkush aty tani mendon se “Berisha është PD-ja dhe PD-ja është Berisha”. Por unë mendoj se në këto kushte po shkohet drejt konkluzionit fundor: Pa Berishën nuk ka PD, me Berishën nuk ka PD në pushtet.
Problemi është ku janë të rinjë, si Tedi psh, në raport me Berishën dhe një dyzinë pensionistësh që ai ka përreth?
A kanë ata fuqi(hapësirë nuk kanë) për të krijuar alternativa të reja, apo edhe ata e shkojnë Berishën si idhull? Nuk ka më keq se kriza e gjeneratave politike në një demokraci. (A2 Televizion)
